Bota

Nga më të fuqishmit në 20 vite, stuhia e pazakontë godet Spanjën, një viktimë dhe disa të lënduar!

Stuhia që ka goditur Spanjën është kthyer në një tragjedi, pasi një foshnje 1 vjeç ka humbur jetën dhe 30 persona kanë mbetur të lënduar në La Bizbal, Girona. Vogëlushja thuhet se u dërgua me urgjencë në spitalin Josep Trueta në Girona pasditen e djeshme, por ndërroi jetë disa orë më vonë, sipas ‘Daily Mail’. Shumica e personave të tjerë që kanë kërkuar trajtim mjekësor thuhet se kishin pësuar lëndime në kokë ose prerje që kërkonin qepje si dhe kocka të thyera. Breshëri me madhësinë e topave të tenisit ka dëmtuar edhe disa makina.

Meteorologët në Katalonjë thanë se breshëri që goditi rajonin, në qytetin turistik të Girona, pranë kufirit të Spanjës me Francën, ishte një nga më të fuqishmit në 20 vite. Stuhia më vdekjeprurëse e njohur në histori ishte ajo që goditi qytetin Indian Moradabad në vitin 1888. Gati 250 njerëz humbën jetën kur u goditën nga breshëri me madhësi sa të portokallit. Rekordi për breshërin më të madh është ai që ra në Vivian, Dakota e Jugut në vitin 2010. Ai peshonte rreth 878 gram dhe ishte pothuajse 20 centimetra në diametër.