Aktualitet

Nga mesdita e sotme, ulen sërish çmimet e karburanteve në vend!

Bordi i Transparencës sërish ka vendosur të ulë çmimet e karburanteve në vend. Nga mesdita e sotme, ora 12:00, nafta do të tregtohet me 206 lekë për litër, pra 5 lekë më pak nga sa u përcaktua në vendimin e mëparshëm, në mbledhjen më të fundit. Ulje u vendos edhe për benzinën, litri i së cilës tashmë do të kushtojë 3 lekë më pak, në 191 lekë. Ndërkohë, çmimi i shitjes së gazit është 71 lekë për litër. Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaron se “jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës”.

Njoftimi zyrtar/Vendim i Bordit të Transparencës:

Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 29 Nëntor 2022 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit. Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 206 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 194 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 191 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 179 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet.

Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 112 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 30 Nëntor, ora 12.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i Transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e veta lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.