Politikë

Nga nesër, 5 mijë lekë për festa pensionistëve, 40 milionë euro do shpërndahen për 695,101 të moshuarit

Duke filluar nga dita e nesërme, do të lëvrohet bonusi i fundvitit për mbi 695 mijë pensionistë në mbarë vendin prej 5000 mijë lekësh. Ndërsa për 66 mijë pensionistë, që kanë pensione invaliditeti do të akordohen edhe plus 6000 mijë lekë të tjera, para që shkojnë në total 11000 lekë. Vendimin e qeverisë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, sot gjatë një deklaratë për gazetarët, ndërsa tha se paketa në total do të jetë prej 4.3 miliardë lekësh të reja.

‘Dola sot pas mbledhjes së qeverisë, për një arsye të vetme, sepse kemi marrë një vendim, të cilin ua kemi premtuar pensionistëve dhe sot, falë këtij vendimi, duke filluar nga dita e nesërme do të fillojë lëvrimi i bonusit të fundvitit për të gjithë 695,101 pensionistë, prej 5 mijë lekësh të reja. Edhe pse kemi pasur vështirësi të posaçme këtë vit, vështirësi që dihen, përsëri për ne ka qenë e padiskutueshme që, jo vetëm për pensionistët, por edhe për 66 mijë të tjerë të kategorisë pensionistë, që kanë pensione invaliditeti me përfaqësuesit e të cilëve kemi patur edhe një dialog intensiv në nivelin e Ministrisë së Financave, do të akordojmë edhe plus 6 mijë lekë të tjera, pra të reja, që shkojnë në 110 mijë lekë të vjetra për këta pensionistë, si kompensim i nevojshëm dhe i merituar, bazuar edhe në rezultatet e dialogut që kemi zhvilluar. Në total është një paketë prej 4.3 miliardë lekësh të reja, rreth 40 milionë dollarë që vihet në dispozicion pikërisht të këtyre kategorive që janë edhe kategoritë më në nevojë të shoqërisë sonë. Ndërkohë kemi marrë edhe vendimin për të filluar nga janari i vitit të ardhshëm edhe aplikimin e një tjetër mase të konsultuar me publikun gjatë Këshillimit Kombëtar, për nënat e papuna me tre fëmijë të mitur, të cilave qeveria do t’u paguajë të gjitha sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, njësoj sikur të ishin në punë.’- u shpreh Rama.

Nga ana tjetër edhe 64 mijë familje me ndihmë ekonomike do të mbështeten me bonusin e fundvitit. Megjithëse, kryeministri Rama nuk bëri të ditur shumën e shpërblimit që do të marrin.

‘Po ashtu, do të mbështesim edhe 64 mijë familje me ndihmë ekonomike, për të cilat siç e dini kemi pasur disa rritje të ndihmës, por gjithsesi mbeten në nevojë dhe në vëmendje për t’u mbështetur edhe me bonusin e fund vitit, si edhe për gjithë kategorinë e paraplegjikëve edhe tetraplegjikëve.’- u shpreh Rama.