Bota Sport

Nga PE, UEFA-s i kërkohet të përjashtojë Bjellorusinë, kundërshtaren e Kosovës!

Më shumë se 100 deputetë të Parlamentit Europian firmosën një letër dërguar presidentit të UEFA-s, Federatës Europiane të Futbollit. Aleksander Ceferinit  i kërkohet që ekipi i kombëtares së Bjellorusisë të përjashtohet nga ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Europian të Futbollit, që mbahet vitin e ardhshëm.

Eurodeputetët argumentojnë se Bjellorusia jo vetëm që mbështet, por aktivisht merr pjesë në agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës prej më shumë se një viti. Po ashtu, në letër thuhet se “në përgjithësi, futbolli e sporti janë përdorur nga lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenko për përhapjen e propagandës politike”.

Sipas ligjvënësve europianë, “më vonë, pjesëmarrja e kombëtares bjelloruse në eventet e UEFA-s do të përdoret nga Lukashenko për propagandë, për të dëshmuar se po pranohet mirë nga bashkësia ndërkombëtare”.

Deputetët pohojnë se “lejimi i pjesëmarrjes së Bjellorusisë në këto organizime është ofendim i viktimave të agresionit rus në Ukrainë, por edhe për shumë luftëtarë të të drejtave të njeriut në Bjellorusi”.

Po ashtu ka pasur thirrje që Bjellorusisë t’i ndalohet pjesëmarrja në takimet ndërkombëtare të futbollit, në të njëjtën mënyrë siç iu ndalua Rusisë. Por, duhet thënë se deri tani, UEFA u ka rezistuar thirrjeve të tilla, duke nënvizuar se në një farë mënyre, Bjellorusia është sanksionuar duke ia bërë të pamundur që të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare në territorin e saj.

Ndalimi i mundshëm i pjesëmarrjes së Bjellorusisë në kualifikimet për EURO 2024-ën që do të mbahet në Gjermani do të kishte efekt edhe te Kombëtarja e Kosovës, e cila gjendet në të njëjtin grup. Krahas Kosovës e Bjellorusisë, aty janë edhe Zvicra, Rumania, Izraeli e Andorra. Ndeshjet kualifikuese nisin javën e ardhshme.

Për shkak të pamundësisë që të zhvillojë ndeshje në fushën e vet, Bjellorusia ka zgjedhur që disa takime kualifikuese t’i luajë në Serbi. Kujtojmë se kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, përdori territorin e Bjellorusisë për të filluar sulmet. Megjithatë, Minsku zyrtar mohon të jetë palë në konflikt.