A Live Night Celebrities Gossip

Nga pjesëmarrja në Top Fest deri te përfaqësimi në Eurovision, Eugent Bushpepa zbulon gjithçka në ‘A Live Night’!

‘A Live Night’ padyshim që përgjatë gjithë javëve të fundit ka sjellë për ju intervistat më unike dhe muzikën ‘live’ më të mirë nga artistët më në zë dhe të talentuar të showbiz-it tonë. Këtë të shtunë, Eugent Bushpepa ka rrëfyer gjithë jetën e tij, duke nisur nga fëmijëria, sakrificat që ka bërë për t’ju futur botës së artit, jeta personale, fama dhe shumë të tjera.

Artisti ka qenë disa herë pjesëmarrës në Top Fest, duke treguar se prej atje ka disa nga projektet e tij më të mira, pasi e vlerësonte shumë si kompeticion muzikor në tregun shqiptar.

Unë kam marrë pjesë vetëm në Top Fest për shumë vite me rradhë, sepse ishte për mendimin tim dhe vazhdon të mbetet për mendimin tim një nga organizimet më inovative dhe moderne duke qenë se me të vërtetë e cilësoja muzikën time, megjithëse kishte tipare ‘old school’ e konsideroja që e kishte në vete dhe modernen. I vetmi vend në të cilin, e para ndihesha si në shtëpi dhe e dyta, sepse mendoja se ishte i vetmi kompeticion që vlente që të merrja pjesë. Duhet të kisha kompozuar pak më shumë, por për fat të mirë që kam pasur ‘Top Fest-in’ që kemi dhe këto këngët sot.

Cilat janë dy pikat më kulminante të jetës së tij, çfarë pritet të sjellë në të ardhmen dhe eksperienca në Eurovision, na i zbulon vetë Eugenti.

Jam i lumtur deri diku me gjërat që kam arritur në karrierën time, kam pasur mundësi të bëj më tepër, por kam lënë kohën që të kaloj kot, duke qenë se jam shumë detajist, sidomos në artin që bëj. Duhet të merresha më pak me detajet dhe të kompozoja më tepër, por kam pika si puna e Eurovisionit, si puna e një projekti që kam tani jashtë Shqipërisë me një grup zvicerian që quhet ‘CoreLeoni’ . Këto janë me të vërtetë dy pikat për të cilat ndihem krenar. Eurovisioni ka qenë një periudhë goxha stresuese të them të drejtën për mua si Gent, për pjesëtarët e tjerë të grupit ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Kishim një mbështetje që vinte me pikatore, më është dashur të bëj skenografinë vetë, vendosjen e pjesëtarëve të grupit në skenë, kur do ndizen dritat, a thua ti RTSH nuk ka pasur as skenograf as asgjë. Më është dashur të merrem nga A te Zh me të gjitha gjërat, por shpresoj të kem dal mirë. Mendoj se është një pikë kulmore e artit tim. Patjetër që pamja ka rëndësine e vet, mos të them që është 50% i artit në skenë, kështu që përpiqem deri diku me aq sa kam mundësi ta mbaj pak veten dhe të flirtoj me kamerën, kjo ndoshta më ndikon me vajzat, nuk qahem (qesh).