Auto & Moto

Nga Putin tek Papa Françesku, zbuloni automjetet me të cilat lëvizin udhëheqësit botërorë!

Numri një i Shteteve të Bashkuara të Amerikës lëviz me atë që njihet si “Bisha”. Versioni aktual i automjetit tejet të blinduar presidencial është prezantuar në 2018. Është një Cadillac i modifikuar, me disa përmirësime. Sipas mediave amerikane, automjeti përmban një frigorifer, që bart gjakun që i përshtatet tipit të presidentit, në rast se nevojitet ndonjë transfuzion emergjent. Automjeti presidencial po ashtu raportohet të ketë doreza të elektrizuara të dyerve, për të zmbrapsur personat e paautorizuar që provojnë të futen brenda. Ndërkaq, për të ruajtur sekretet, versionet e mëparshme të makinës shkatërrohen nga stafi i Shërbimit Sekret amerikan.

Rivali rus i “Bishës” është limuzina Aurus, e cila përdoret nga Vladimir Putin si automjeti shtetëror presidencial i Rusisë, që nga prezantimi i tij në 2018. Versioni i veturës që përdoret nga Putin rëndohet nga veshja mijëra kilogramëshe me blind, e cila e çon peshën e përgjithshme të automjetit në 6.5 tonë. Ekzistojnë edhe versione civile të veturës së prodhuar në Rusi. Versioni më i lirë shitet për 245 mijë dollarë.

Modeli i fundit i limuzinës që përdoret nga presidenti i Kinës, Xi Jinping, është Hongqi N501. Edhe ky automjet presidencial është prezantuar në 2018, dhe Xi e ka inaguruar gjatë një turneu në Afrikë. Pothuajse asgjë nuk dihet publikisht për veçoritë e sigurisë që përmban kjo veturë. Hongqi është marka më e vjetër kineze e automjeteve.

Imazhi duket të ketë qenë më prioritet sesa siguria gjatë dizenjimit të automjetit të perandorit të Japonisë, Naruhito. Toyota ka krijuar një version unik, me çati të hapur, të limuzinës së saj luksoze Century, për paradën e kurorëzimit të udhëheqësit simbolik të Japonisë, në Tokio, në nëntorin e vitit 2019.

Papa Françesku ka lëvizur me makina të ndryshme gjatë vizitave të tij nëpër botë, por ndoshta ai më unik është  automjeti i markës Karenjy, i prodhuar në Madagaskar, dhe i përdorur në shtatorin e vitit 2019. Karenjy, që do të thotë shëtitje në gjuhën madagaskane, është një kompani afrikane, e njohur për kamionët e tij që i përballojnë rrugët e vrazhda lokale. Një ekip prej 15 punonjësish kanë punuar pesë muaj për ta krijuar këtë automjet. Ai përmban një ndenjëse rrotulluese, flamuj të Vatikanit, dhe versione të arta të stemës së papës në dyert e tij të pasme.