Aktualitet

Nga rritja e pagave deri te mbështetja e çifteve, ja çfarë duhet të dini për programin e qeverisë “Rama 3”!

Lufta me pandeminë ishte në fokus të qeverisë gjatë vitit 2020, dhe duket se do të vijojë të jetë edhe në mandatin e tretë qeverisës, por këtë herë me vaksinimin e popullsisë si mënyrën e vetme për të mposhtur pandeminë e COVID-19. Në programin e ri  për mandatin e tretë, sipas objektivit të qeverisë deri në shkurt 2022 do të jenë të vaksinuar të gjithë qytetarët shqiptarë mbi 16 vjeç dhe se brenda shtatorit 2021 të gjithë personat +60 vjeç, do të kenë bërë të dyja dozat e vaksinave.

Pandemia goditi edhe sektorët ekonomik, ku qeveria parashikon një fond prej 50 mln euro për sektorin e turizmit në formën e instrumenteve të garancisë.

Mandati i tretë i Qeverisë ‘Rama’ do të fokusohet edhe në shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve. Në programin qeverisës thuhet se prindërve që nuk bëjnë dot fëmijë, nga viti 2022 do tu ofrohet falas paketa e fertilitetit.

Për familjet me të ardhura deri në 100 mijë lekë në muaj , qeveria do të ofrojë 10 mijë lekë për çdo familje që të heqin shpenzimet e çerdhes ose kopshtit çdo muaj.

Ndërkohë do të krijohen dy programe të dedikuara për kujdesin e syve dhe atë oral. Kjo paketë do të jetë falas dhe do të shërbejë për fëmijët nga 6-15 vjeç.

Sakaq, brenda qershorit 2022 do të fillojë puna për ndërtimin e Qendrës Kombëtare për Fëmijë. Kjo qendër me sipërfaqe rreth 4500 m2, pranë liqenit artificial të Tiranës, do të jetë një pol kulturor multifunksional, dedikuar fëmijëve si pjesë e Tirana Park Extention.

Në programin e qeverisë ‘Rama 3’, të cilin do ta prezantojë nesër në Kuvend kryeministri Edi Rama, një nga shtyllat është rindërtimi. Në fund të pranverës së vitt 2022 nuk do të ketë më asnjë gjurmë të tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, thuhet në program.

“Vendosim mbi 60 miliardë lekë nga buxheti i shtetit në funksion të Programit të Rindërtimit për tre vite. 100% e granteve të premtuara në Konferencën e Donatorëve, 300 milionë euro, janë akive në mbi 30 projekte konkrete në strehim, arsim dhe infrastrukturë publike”.

Në programin qeverisës të bërë publik nga mazhoranca për 4 vitet e ardhshme bëhet me dije se duke filluar nga korriku i vitit 2020 do të rriten gradualisht dhe në mënyrë të përshkallëzuar pagat për mësuesit, mjekët, inferemierët e punonjësit e administratës publike.

Në mandatin e tretë qeveria ‘Rama 3’ ka zgjeruar programin e saj për strehimin e çifteve të reja dhe programin e banesave sociale për familjet në nevojë. Programi parashikon për familjet e reja 1 milion lekë mbështetje për pagesën fillestare dhe zbutjen e interesit për blerjen e shtëpisë.  Për familjet të cilat nuk përfitojnë nga paketa e familjeve të reja, do të ndërtohen në vit 2000 mijë banesa sociale nga 2022.