Celebrities Gossip Pardon My French Showbiz

Nga shfaqja që flet për burrat deri te marrëdhënia pas humbjes së prindërve, Rozana dhe Andeta Radi rrëfejnë gjithçka!

Këtë episod të “Pardon My French”, çfarë nuk u tha! Pas Ardit Çunit, Jonida dhe Kevi mirëpritën në studiot e TAR dhe dy motrat Radi, Rozanën dhe Andetën, të cilat folën jo vetëm për angazhimin e tyre më të ri me shfaqjen “A flasim për burrat”, por edhe për marrëdhënien mes tyre dhe si e përjetuan largimin e prindërve nga jeta.

Fillimisht, dy motrat treguan se si lindi ideja për të bashkëpunuar në këtë projekt teatral kaq të veçantë.

Andeta: Rozi më ofroi të bëja regjinë. Më bëri shumë mirë se më bëri të kujtoja për çfarë kam studiuar. Rozi profesionalisht më ka ndihmuar shumë. Jo vetëm si aktore, duke krijuar bërthamën e rolit të saj, por më ka dhënë dhe ide. 

Rozana: Teatri i Korçës është një skenë ku tim atë ka mbyllur komedinë e fundit, është një skenë që më jep shumë dashuri. Jo se qytetet e tjera nuk e kanë, por drejtoresha e teatrit është shprehur gjithmonë shumë e gatshme. 

Përpos angazhimit me shfaqjen “A flasim për burrat”, dy motrat kanë treguar edhe për marrëdhien e tyre jashtë anës profesionale.

Andeta: Për sa i përket Rozit në jetë, unë jam mamaja, Rozi fëmija. Ka dashur të më dhurojë një veshkë. Më tha që e jap unë, edhe nëse nuk e kam, e shes që të blejmë tënden. Rozi është nga ato që ta jep edhe shpirtin, por edhe ta merr shpirtin. 

E teksa kjo shfaqje flet për burrat duke patur ata si tematikën kryesore, Rozi dhe Andeta na tregojnë më shumë lidhur me “A flasim për burrat” dhe a bëjnë gratë kompromise për të patur një burrë në krahë.

Rozana: Ju them grave merrini burrat me vete se nuk është 8 Marsi. Pse duhet të flasim për burrat dhe të mos i marrin me vete. Ne gratë bëjmë kompromise për të patur një burrë në krahë. Në rolin e ‘dashnores’ që kam në shfaqje i mora gjithë kënaqësinë. Rolin që nuk e bëjmë dot në jetë, e gëzojmë aty. 

Andeta: Nuk është aq e lehtë të bësh art. Duhet të kesh kushte të mira financiare, ka shumë pagesa, duhen sponsorë që nuk shkojnë te arti, megjithëse kanë ngelur disa dashamirës.   

Rozana , përpos angazhimit si aktore në këtë shfaqje ka disa kohë që nuk është më aktive në muzikë si këngëtare, përpos projektit që lançoi para pak muajsh me Stinen. Ajo tregoi se po merret me artistë të tjerë, por po punon edhe për një baladë të sajën.

Pas këngës me Stinen do të sjell një baladë. Duhet të gjej kohën të ulem ta shkruaj. Po punoj me albumin e Aurela Gaçes, kam dy- tre tekste. 

Andeta dhe Rozana kanë zbuluar edhe rreth marrëdhënies së tyre dhe se sa shumë është forcuar ajo pas largimit të prindërve nga jeta.

Andeta: Kemi patur gjithmonë këtë lidhje. Edhe kur ikim larg nuk e harrojmë kurrë njëra-tjetrën ta telefonojmë. Unë jam telefonata e parë dhe e fundit e saj. Telefonin natën e mbaj hapur vetëm prej Rozit. Jemi lidhur shumë pas largimit të prindërve. E ndjej shumë mungesën e tyre se rrija më shumë me ta, ndërsa Rozi jo prej punës. Por pas largimit të tyre, Rozi e përjetoi më keq se mua se unë shkoja te familja ime, ndërsa Rozi jo.  

E një pyetjeje pak ngacmuese nga Jonida dhe Kevi erdhi se si partnerët e tyre e pritën këtë shfaqje që flet pikërisht për burrat dhe ato nuk ngurruan të përgjigjen.

Andeta: Fakti që na ndjekin kudo që shkojmë, tregon që na mbështesin. 

Rozana: Partnerët përkatës e dinë se çfarë profesioni kemi dhe nuk i hyjnë trungut të shfaqjes.