Aktualitet

Nga sot, asnjë kufizim udhëtimi për shqiptarët drejt Gjermanisë!

Gjermania heq kufizimet e udhëtimeve hyrëse nga Shqipëria.

Qeveria Federale ka hequr të gjitha kufizimet e udhëtimeve hyrëse për personat rezidentë në Shqipëri me efekt që nga dita e diel, 20 qershor, ora 0:00 CET. Udhëtimi për në Gjermani i personave rezidentë në Shqipëri, lejohet përsëri për të gjitha qëllimet e udhëtimit.

Për udhëtimet hyrëse me rrugë ajrore është e domosdoshme një dëshmi e testit ose një dokument që provon shërimin apo vaksinimin me vaksinat Pfizer&BioNTech, Moderna, AstraZeneca e Johnson&Johnson.

Nisur nga situata epidemiologjike pozitive, prej datës 9 maj, Shqipëria nuk kategorizohet më si zonë rreziku për COVID-19.

Detyrimi i testimit (PCR, 72 orë para fluturimit e antigjenik, 48 orë para fluturimit) vlen vetëm për ata që hyjnë në rrugë ajrore, si dhe hiqet regjistrimi digjital i udhëtimit e detyrimi i karantinës.

Por nuk nevojitet test negativ për udhëtarët e vaksinuar plotësisht me një prej vaksinave Pfizer&BioNTech, Moderna, AstraZeneca e Janssen. Po ashtu për të shëruarit (jo më pak se 28 ditë pas shërimit dhe jo më shumë se 6 muaj pas tejkalimit të infeksionit), të cilët zotërojnë një dokument që provon vaksinimin apo shërimin, i formuluar në gjuhët gjermane, angleze, franceze, italiane apo spanjolle, në versionin hard copy apo digjital.

Përgjithësisht, rregullat e karantinimit në Gjermani vendosen nga landet federale.