Tech

Nga sot e tutje mund të paguani për të parë materiale në Instagram!

A do të paguanit për të parë video dhe foto në Instagram? Pronari i platformës së medias sociale mendon që edhe mund ta bëni. Meta, kompania mëmë e Instagram, ka planifikuar një program pilot që do të lejojë një grup të vogël përdoruesish që të ofrojë abonime me pagesë për materiale ekskluzive për video “live” dhe “story”.

Ata mund të kërkojnë një pagesë minimale, duke filluar nga 99 cent, e deri në 100 dollarë në muaj. Për momentin, të gjitha paratë do t’i marrin krijuesit e materialit, por Meta, që gjithashtu ka në pronësi Facebook, do të nisë të marrë pjesën e vet, duke nisur nga viti i ardhshëm. CEO, Mark Zuckerberg, thotë se kompania nuk do t’u mbajë krijuesve më shumë se 30%.

Instagram nuk është e vetmja platformë sociale që ka eksperimentuar me abonimet me pagesë. Prej disa muajsh tashmë, edhe Twitter ka krijuar një opsion që krijuesit të marrin deri në 10 dollarë për materiale ekskluzive. Platforma më e njohur sociale që ofron këtë lloj shërbimi është ‘OnlyFans’, ku krijuesit postojnë shpesh edhe foto dhe video vetëm për të rritur.

Rikujtojmë se TikTok, po teston një aftësi të re për të ndarë klipet. Një veçori e re e quajtur ‘Repost’ duhet ta bëjë më të lehtë shpërndarjen e klipeve nga faqja me miqtë pa pasur nevojë t’i dërgoni ato përmes mesazheve të çastit. Ky buton ‘Repost’ do të funksionojë në mënyrë të ngjashme me butonin Retweet në Twitter. Edhe pse disa përdorues tashmë e kanë atë, kjo nuk funksionon tek të gjithë.

Butoni i ri do të kufizohet në faqen ‘For You’ nga menuja e ndarjes, që do të thotë se nuk do të jetë i disponueshëm në të gjithë aplikacionin TikTok. Përveç kësaj, klipet e ndara nëpërmjet butonit ‘Repost’ nuk do të shfaqen në profilin e përdoruesit që i ndan ato, vetëm në faqet ‘For You’ të miqve të tyre ose përdoruesve me të cilët ndjekin njëri-tjetrin. Për momentin, ‘Repost’ është duke u testuar në një grup më të vogël përdoruesish.