Rajoni

Nga sot, Greqia nuk kërkon certifikata vaksinimi anti-COVID!

Duke filluar nga dita e sotme, në Greqi nuk do të kërkohen më certifikatat e vaksinimit kundër COVID-19/ës për të hyrë në mjedise të mbyllura. Hapësirat e brendshme që përfitojnë nga pezullimi i detyrimit të certifikimit, përfshijnë kafene, restorante, si dhe ambiente argëtimi. Gjithashtu, kjo masë është pezulluar për turistët, të cilët duhet të tregonin certifikatën e vaksinimit me hyrjen në Greqi.

Ndërkohë, sipas Komitetit të Ekspertëve Mjekësorë të Ministrisë së Shëndetësisë të Greqisë, përdorimi i maskave në hapësirat e brendshme do të mbetet në fuqi të paktën deri në fund të majit. Po ashtu, maskat rekomandohen edhe për hapësirat e jashtme, të mbushura me njerëz.

Për të ringjallur industrinë jetike të turizmit në vendin fqinj, Athina zyrtare ka zgjedhur që gradualisht të lehtësojë kufizimet mbi udhëtimet. Në shkurt të këtij viti, ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris, bëri të ditur se udhëtarët që kishin certifikatë europiane vaksinimi kundër koronavirusit, nga 7 shkurti mund të hynin pa treguar test negativ.

Kujtojmë se deri tani, Greqia pranonte vetëm pasaporta vaksinimi që dëshmonin se “personat që i kanë në zotërim janë vaksinuar plotësisht ndaj COVID-it në 9 muajt e fundit apo kanë marrë dozën shtesë”. Nga ana tjetër, dokumentet që vërtetojnë kalimin e sëmundjes, njiheshin si të vlefshme nga autoritetet greke, vetëm nëse ata që i tregonin, rezultonin të ishin shëruar nga virusi në 6 muajt e fundit.

Por, maji hyri me të tjera lehtësira e nga sot, udhëtarëve që i drejtohen Greqisë, nuk iu kërkohet certifikatë europiane vaksinimi, dokument që vërteton shërimin e po ashtu, as test negativ COVID-i, për të hyrë në territorin grek. Në muajin shtator të këtij viti, pritet një tjetër rishikim i masave anti-koronavirus nga zyrtarët shëndetësorë grekë. Ashtu si në vende të tjera europiane, edhe në Greqi po shënohet një rënie e ndjeshme e numrit të infektimeve të reja me COVID.