Aktualitet

Nga sot, hyrja në Shqipëri pa certifikatë vaksinimi anti-COVID/Fluks lëvizjesh në Morinë!

Kjo ditë e parë e muajit maj përkon edhe me hyrjen në fuqi të vendimit për të gjithë vizitorët e turistët, për të ardhur në Shqipëri, pa certifikatë vaksinimi. Ishte Komiteti Teknik i Ekspertëve që vendosi heqjen e detyrimeve për të paraqitur dokument vaksinimi për Sars Cov2, të paraqitjes së testit negativ për koronavirus apo të certifikatës së shërimit nga COVID-i, për të gjithë shtetasit që hyjnë në vendin tonë nga çdo pikë kufitare.

Këtë fundjavë, në Morinë ka fluks të lartë të qytetarëve e automjeteve, ndërsa Policia Kufitare po zbaton procedurën e përshpejtuar, për të shmangur radhët e vonesat. Shtatë sportele janë në funksion të plotë e në veçanti për ditët e festave, jepen udhëzime për lehtësim të lëvizjes.
Gjithashtu, Komiteti i Ekspertëve vendosi heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskave, por sërish rekomandoi mbajtjen e tyre në mjedise të mbyllura e sidomos në ato që nuk janë të ajrosura mirë. Mes të tjera vendimeve ishin lejimi i muzikës pas orës 23:00 dhe rihapja e klubeve të natës në vend.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur përgatitjet për të riorganizuar punën lidhur me hapjen e 29 qendrave shëndetësore verore, që përgjatë sezonit veror do të jenë në shërbim 24 orë për turistët.

Nga sot, në Greqi nuk do të kërkohen më certifikatat e vaksinimit kundër COVID-19/ës për të hyrë në mjedise të mbyllura. Hapësirat e brendshme që preken nga pezullimi i detyrimit të certifikimit, përfshijnë kafene, restorante dhe ambiente argëtimi. Masa është pezulluar edhe për turistët, të cilët duhet të tregonin certifikatën e vaksinimit me hyrjen në Greqi.

Ndërkohë, sipas Komitetit të Ekspertëve Mjekësorë të Ministrisë së Shëndetësisë në Greqi, përdorimi i maskave në hapësirat e brendshme do të mbetet në fuqi të paktën deri në fund të majit. Po ashtu, maskat rekomandohen edhe për hapësirat e jashtme, të mbushura me njerëz.