Aktualitet Bota

Nga sot nafta 245 lekë litri/Të martën protesta para Kryeministrisë!

Bordi i Transparencës i mbledhur dje vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas dhe që reflektojnë ndryshimet e shfaqura në tregjet ndërkombëtare. Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin  e përkohshëm  të çmimeve të tregtimit  me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ, vendosi:

Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 233 lekë/litër dhe nënproduktit benzinë do të jetë 206 lekë/liter për periudhën 26 mars-1 prill 2022.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 26 mars-1 prill 2022, të  jetë 245 lekë/litri.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën  26 mars-1 prill 2022, të  jetë 218  lekë/litri.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz për periudhën 26 mars- 1 prill 2022,  të jetë 110 lekë/litri dhe me shumicë 98 lekë/litri.

Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë  26 Mars, ndërkohë që  mbledhja e ardhshme do të jetë ditën e premte, datë 1.04.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë. Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.

Rritja e çmimit të naftës dhe e produkteve ushqimore do të sjellë sërish protesta. Për të martën në orën 17:00 është paralajmëruar një tjetër tubim, para selisë së Kryeministrisë në Tiranë.

E ndërkohë, krahas luftës në Ukrainë që ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e çmimeve, rebelët Houthi sulmuan një depo nafte të kompanisë “Aramco” në Jeddah të Arabisë Saudite dhe ku këtë fundjavë zhvillohet gara për Çmimin e Madh në Formula 1. Kryeministri Rama reagoi me një thirrje për Kombet e Bashkuara:

Një tjetër krim i neveritshëm kundër Arabisë Saudite, që synon të ndikojë më tej në sigurinë globale të energjisë në një kohë të trazuar për të gjithë botën! Shqipëria qëndron në krah të Arabisë Saudite dhe u bën thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së që të dënojnë me vendosmëri organizatën terroriste që qëndron pas sulmeve të tilla!

Të mbështetur nga Irani, rebelët nuk pretenduan menjëherë se ishin pas sulmit të djeshëm, por më herët në një postim në Twitter, një zëdhënës ushtarak pohoi tha se “grupi do të shpallte një operacion të thellë brenda Arabisë Saudite”.

Ndërkohë nafta e papërpunuar e West Texas Intermediate u rrit  menjëherë më  1,04 dollarë ose 0,9%, në 113,34 dollarë.  Të dielën e kaluar, autoritetet saudite konfirmuan një tjetër sulm në objektet e “Aramco”-s nga rebelët Houthi që përdorën raketa dhe dronë në të paktën gjashtë pika në të gjithë Arabinë Saudite, përfshirë një depo karburanti të “Aramco”-s dhe një fabrikë të gazit të lëngshëm natyror.