Pasò

Ngacmimet e futbollistëve te titujt seksistë të mediave. Rrëfehet në “PASÓ” gjyqtarja e futbollit

Emisioni “PASÓ” në Top Albania Radio pati të ftuar mjaft interesantë mbrëmjen e kaluar ku përmendim Lorik Canën, Reis Çiçon dhe e fundit por jo për nga rëndësia, gjyqtarja e futbollit, Emanuela Rusta.

Ajo pati shumë për të thënë gjatë intervistës së saj me Denisin dhe Glentin ku ndër të tjera vihej re menjëherë pasioni që ajo ka për këtë sport. Rrallëherë shohim një gjyqtare femër në fushën e gjelbërt dhe kur ndodh kjo lindin edhe pyetje të shumta rreth pozicionit të saj. Jemi mësuar që të shohim e komentojmë arbitër meshkujt, por kur vjen puna tek një femër, çfarë thuhet apo shkruhet për të?

E pyetur rreth opinioneve të shumta që ka dëgjuar pasi la basketbollin për t’ju përkushtuar futbollit, Emanuela u shpreh se gjithmonë është hasur me këto teoritë që meshkujt e luajnë mirë futbollin dhe ky sport i përket atyre. Ajo u shpreh për mikrofonin e TAR, se në fakt ka shumë femra që e njohin dhe e luajnë mirë këtë sport madje arbitrojnë shumë mirë.

Pasi foli për ndeshjet e fundit në të cilat ka arbitruar, Rusta u pyet edhe për titujt seksitë nëpër portale që duket se në këtë rast kanë qenë të pashmangshme.

“Nuk më pëlqen fakti që kur shihet një femër në futboll nuk vlerësohet për profesionalizmin por për të mirat fizike që ajo ka. Ne kemi akoma këtë paragjykim nga pjesa e meshkujve, megjithatë unë nuk i kushtoj fare rëndësi kësaj pjese për sa kohë kam vendosur që ta bëj këtë profesion. Do të ishte mirë që të shkruhej edhe për pjesën e profesionalizmit nëpër portale.” -u shpreh ajo duke theksuar se nuk ndikohet aspak nga shkrime të tilla dhe nuk i frikësohet portaleve.

Megjithatë, nuk ndodh pak herë që një profesion i tillë të ketë edhe disavantazhe që lidhen me ngacmimet seksuale nga ana e futbollistëve, një fenomen që ndodh kudo në botë. Emanuela, në fund të intervistës së saj tha se në fakt futbollistët sillen shumë mirë.

“Jasht fushe, secili ka jetën personale. Pas pune të gjithë fokusohen tek gjërat e veta. Nuk kam patur probleme të tilla” -përfundoi gjyqtarja.