Aktualitet

Ngadalësohet rritja e çmimeve në vend/Tendencë në rënie për inflacionin!

Për të parën herë në një vit, në nëntor, inflacioni shfaqi shenja ngadalësimi duke sinjalizuar se rritja e fortë e çmimeve mund të ketë arritur pikun. Sipas INSTAT-it, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në nëntor 2022 është 7,9%. Hera e parë që shifra vjetore vjen në rënie që nga tetori i vitit të kaluar. Por, rritja e çmimeve mbetet e lartë, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku ndikimin kryesor vijon ta ketë shtrenjtimi i ushqimeve, ndërsa është zbehur efekti i karburanteve.

Këtë vit, Banka e Shqipërisë ka rritur disa herë normën bazë të interesit, duke e çuar në 2.75%, nga 0.5% që ishte në fillim të vitit. Kjo në një përpjekje për të luftuar rritjen e çmimeve përmes shtrenjtimit të kostos së parasë. Sipas INSTAT-it, në nëntor, rritja vjetore e çmimeve kryesisht u ndikua nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +5,12 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,58 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,60 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,47 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,29 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,21 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,28 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,14 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,09 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” +0,03 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore:

Krahasuar me muajin Nëntor 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 14,7%, pasuar nga grupet “Transporti” me 9,6 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,2%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 6,1%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,8%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,6% secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,1%, “Shërbimi arsimor” me 1,9%, “Shëndeti” me 1,3%, “Komunikimi” me 1,1 % dhe “Argëtim dhe kulturë” me 1,0%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me24,1%, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 23,3%, “peshk” me 16,2%, “bukë dhe drithëra” me 15,8%, “zarzavate përfshirë patatet” me 15,0 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 14,8%, “mish” me 12,4%, etj.