Aktualitet

Ngjarja e Elbasanit, Apeli i Durrësit rikonfirmon masat për Paplekajn e 10 të tjerë!

Për ngjarjen e Elbasanit me një të vrarë e katër të plagosur, Apeli i Durrësit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan lidhur me masat e sigurisë në ngarkim të 11 personave, mes tyre Arbër Paplekaj. Për ish-efektivin e RENEA-s, u vendos që të vazhdojë të qëndrojë në burg ndërsa 10 të tjerët u lanë në “Detyrim për Paraqitje”.

Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje”, “Vrasje e mbetur në tentativë e punonjësve të policisë” dhe “Heqje të lirisë me dhunë”. Bashkë me 9 persona, Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa dhe Nuredin Kasma të akuzuar për “Heqje të paligjshme të lirisë së personit, kryer me dhunë” në bashkëpunim, 35-vjeçari ishte pjesë e të ashtuquajturës Strukturë për Mbrotjen e Votës pranë Partisë Demokratike.

Më 21 prill, katër ditë para zgjedhjeve parlamentare, ndaluan në Elbasan një person për të cilin dyshonin se ishte përfshirë në shit-blerje të votave. Situata degradoi në përdorimin e armëve e për pasojë humbi jetën Pjerin Xhuvani si dhe u plagosën katër persona, mes tyre një efektive policie.

Paplekaj i cili u dorëzua në Repartin RENEA ka deklaruar se qëlloi në kushtet e vetëmbrojtjes dhe tha se u ndje i kërcënuar. Për ngjarjen e 21 prillit, Apeli Durrës la në fuqi masën “Detyrim për paraqitje” edhe ndaj Eldjo Bekos, nën akuzë “Për moskallëzim krimi”.