Aktualitet

Ngjarje tragjike në Dibër, gjendet i mbytur një 13-vjeçar!

Ngjarje tragjike në Dibër, një 13-vjeçar u gjet i mbytur në liqenin e fshatit Shumbat. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, policia bën të ditur se humbjen e të miturit e kishte kallëzuar xhaxhai i tij, ndërsa pas dy orësh kërkime, trupi i pajetë u gjet në ujërat e një liqeni të zonës.

Sipas burimeve zyrtare, nga këqyrja paraprake, në trupin e 13-vjeçarit nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera, ndërsa nga veprimet e para hetimore dyshohet të jetë mbytur aksidentalisht.

Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Në një tjetër zhvillim, më herët një 36-vjeçare u gjet pa shenje jete në një hostel në Shkodër. Sipas policisë, shtetasja me iniciale A.N, banuese në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka humbur jetën për shkak të një mbidoze ilaçesh që kishte marrë.

Në lagjen “Tre Heronjtë”, në hostelin ku banonte me qira, është gjetur nga nëna e saj, pa shenja jete, shtetasja A.N., 36 vjeçe, banuese në Texas, SHBA.

Nuk janë konstatuar shenja dhune dhe referuar raportit të policisë, 36-vjeçarja ndërroi jetë për shkak të një mbidoze ilaçesh.

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor dhe nga këqyrja paraprake e trupit të 36-vjeçares, nuk janë konstatuar shenja dhune. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja A. N. ka humbur jetën, për shkak të një mbidoze ilaçesh.

Ndërkaq, grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.