Aktualitet

Ngrihet flamuri i BE-së te Kryeministria, Rama: Opozita në hendekun që bie ndesh me frymën Shqipëri-BE!

Në oborrin e Kryeministrisë, sot u zhvillua ceremonia e ngritjes simbolike të flamurit të Europës, pas çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pas ngritjes së flamurit dhe ekzekutimit të Himnit Kombëtar, kryeministri deklaroi:

Sot është një ditë e re për Shqipërinë dhe ju falënderoj shumë të gjithëve ju që jeni këtu bashkë me mua për ceremonialin e ngritjes së flamurit të BE-së, pas çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e bashkuar europiane.

Prania juaj këtu është më shumë se një prani protokollare, sepse ju dhe institucionet që përfaqësoni jeni drejtpërdrejt kontributor në ndërtimin e rrugës europiane të Shqipërisë. Ngritja e këtij flamuri sot në selinë e Kryeministrisë, shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel, jo vetëm në marrëdhëniet me BE, po edhe në të ardhmen e saj, me liritë dhe të drejtat, sigurinë dhe zhvillimin e saj në çdo drejtim.

Ky moment shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënieve të shoqërisë dhe të qytetarit shqiptar me vlerat, parimet, standardet, rregullat dhe frymën e bashkëjetesës demokratike europiane.

https://www.facebook.com/ediramaal/videos/765308171556462/?t=1

Rama shtoi sot se “ky nivel i ri marrëdhëniesh i Shqipërisë me BE-në, natyrshëm kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës”.

Do të kisha dashur shumë që sot të mund të ishte këtu dhe opozita, jo thjesht sepse jo gjithçka që është arritur në këtë rrugë të gjatë mban vulën e palës sonë, por sepse ky nivel i ri marrëdhëniesh i Shqipërisë me BE-në, natyrshëm kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës.

Mirëpo sot për sot, opozita ndodhet në një hendek të madh, mes një pjese të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe me logjikën e marrëdhënieve të BE, me Shqipërinë, që nga korrupsioni domethënës tek minimi i demokracisë, dhe një pjese tjetër e cila ndryshon nga e para, vetëm për faktin se nuk është damkosur si e padëshirueshme për partnerët tanë ndërkombëtarë. E këta të dytët, edhe kur i fton nuk vijnë sepse kanë frikë nga të parët. Kështu që hë për hë do të bëjmë siç kemi bërë gjithmonë se gjë tjetër s’bëjmë dot edhe po të duam.

Të them të drejtën do të kisha dashur shumë po ashtu që përveç ftesës protokollare dhe fjalëve të mirëseardhjes të mos ishte nevoja të bëja më shumë në drejtim të miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Mirëpo rruga e mundimshme, kthesat dhe ndalesat e saj, të tatëpjetat e vështira dhe rrëshqitjet e pashmangshme të saj, më kanë bërë më shumë se njëherë dëshmitar të faktit se kjo arritje historike nuk do të mund të mendohej pa ndihmën e tyre aq sa ç’mund të mendohet Reforma në Drejtësi pa mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë SHBA dhe BE.

Ideja se Shqipëria dhe shqiptarët mund të bëjnë edhe pa ata, mund të nxjerrin dhëmbët e ndryshkur të një sovranizmi katundaresk dhe t’i rihipin kalit të Xhike Qamilit për ta katandisur Shqipërinë në leckën që fshijnë njollat dhe mëkatet e tyre, është thjesht shëmbëlltyra e marrëzisë ballkanike, që bie ndesh me gjithçka BE mishëron, si vizion i të ardhmes, si frymë lirie, paqeje dhe sigurie dhe si gërmë e rendit ligjor të shoqërisë.