Film & Tv

“Nine Perfect Strangers” Nicole Kidman nuk arrin dot të shpëtojë një serial që pretendon të jetë diçka që nuk është. Kritikë

Ka shumë arsye pse shpesh dergjemi në divan për të parë orë e orë të tëra TV. Për t’u provokuar, qeshur, eksploruar elemente të sjelljes njerëzore, për t’u përthithur, eksituar nga vuajarizmi, moda, pasuria, pornografia, xhanëm për t’u argëtuar. Ndaj kur Hulu lançoi trailerin e “Nine Perfect Strangers” ishim të bindur se do të gjenim të paktën diçka nga sa u tha më lart.

8 Seritë e serialit kanë një shtyllë kurrizore të fortë. Përshtatja për ekranin vjen nga David E Kelley i cili me mjeshtëri arriti të kthente në hite të HBO – “Big Little Lies” dhe “The Undoing”. Seriali bazohet në librin e suksesshëm të Liane Moriarty në 2018 (e cila gjithashtu ka shkruar për “Big Little Lies”) dhe ka për protagonistë disa nga yjet e Hollywood, Nicole Kidman, Melissa McCarthy, Michael Shannon, Regina Hall dhe Bobby Cannavale, sa për të përmendur disa emra. Me ndjesinë e një kulti, seriali rrotullohet rreth një gruaje misterioze me theks rus, Masha (Kidman) e cila drejton një lloj SPA-je në Kaliforni (në fakt xhirimet janë bërë në Byron Bay, Australi), në të njëjtën linjë me “The White Lotus” apo “Succesion”, të tipit sa ‘vuajnë këta të bardhët me lek’.

Por më gjithë elementët premtues, “Nine Perfect Strangers”është i mërzitshëm dhe budalla. Duhet të kthehet në rast studimi se si një trupë aktorësh shumë të njohur me performanca të mbi aktruara, xhiruar me tracking shots të gjata e të panevojshme, maskuar me një kolonë zanore të errët, pa një ngjitës që ti bëjë këto bashkë e kthen serialin në një maskaradë që të mori 8 orë të jetës tënde. Edhe pse mbase nuk është serali më i keq i vitit, është më zhgënyesi, nisur nga pritshmëritë e larta që kishim për të.

Pikëpyetjet logjike nga të cilat vuan janë të shumta; si ka mundësi që asnjë nga banorët e rinj të Tranquillum nuk e di që brenda kësaj qëndre wellness-i nuk lejohen celularët në 10 ditët e tyre të qëndrimit? Si e morën vesh ata për qëndrën kur nuk ka asnjë formë reklamimi të saj, as word-of-mouth (informacion që kalon gojë më gojë). Ka shumë të tilla. Të gjithë personazhet pyesin veten pse janë aty, një pyetje që qysh pas episodit të katërt ja bën edhe ti vetes? Pse po e sheh këtë serial…

Regjisori Jonathan Levine nuk ndihmon për të njohur personazhet përtej sipërfaqes së tyre. “Nine Perfect Strangers” nuk është as prestigjioz as i thellë. Është blah. I mbushur me sterotipe ti ke shpresën që slogani “Do të bëjmë mirë” që Masha i thotë pacientëve të saj, si me magji të funksionojë edhe për ty, diçka të ndodhë që ta drejtojë timonin diku tjetër, por kjo nuk ndodh, me çdo seri që kalon ti i humb shpresat dhe kupton se seriali thjesht po shitet diçka që nuk është.

Jo domosdoshmërisht një kritikë e mirë e bën popullore një seri televizive. Por këtu po flasim për faktin se nuk ke asgjë të mirë për të thënë pasi i ke parë 8 seritë. Nga veshjet e Kidman që duket sikur i ka marrë nga garderoba e “Lord of the Rings” tek skenat erotike si provime të vitit të parë në një shkollë filmi, të privuara nga kimia dhe erotizmi. Kimia mes personazheve është e munguar. Drejtori i Casting-ut e ka patur me siguri mendjen diku tjetër kur ka punësuar aktorët e këtij filmi.

Si emri i personazhit të Nicole Kidman, “Nine Perfect Strangers”është një mish Mash-a elementesh që nuk lidhen kurrë me njëri tjetrin, i bukur në letër, por i ekranizuar dobët, aq dobët se as Kidman nuk e shpëton dot.