Bota

Nis ceremonia zyrtare e inaugurimit të Joe Biden-it si President i 46-të i SHBA-së

Nis ceremonia zyrtare e inaugurimit të Presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Joe Biden i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Jill kanë mbërritur në Capitol Hill për ceremoninë e inaugurimit. Krah tij është shfaqur edhe zëvendës presidentja, Kamala Harris me bashkëshortin. Ajo që vihet re është se të katërt janë të pajisur me maska.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden do të bëjë betimin si president në një kohë përçarjesh të thella dhe krizash të vështira. Ndryshe nga çdo herë tjetër në një ceremoni si kjo do të mungojnë njerëzit për shkak të masave kundër përhapjes së koronavirusit pandemisë që ka pushtuar mbarë globin.

Ekipi i Biden është përpjekur të mbajë turmat në minimum dhe u ka kërkuar amerikanëve që të mos udhëtojnë në Uashington DC por ta ndjekin inaugurimin nga shtëpitë e tyre. Në vend të njerëzve, komiteti i inaugurimit ka vendosur 200,000 flamuj që përfaqësojnë të 56 shtetet dhe territoret amerikane.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden drejtoi të martën një ceremoni përkujtimore kombëtare në prag të inaugurimit të tij,  për të nderuar 400,000 amerikanët që kanë vdekur nga COVID-19 gjatë 11 muajve që kur koronavirusi shkaktoi viktimën e parë në Shtetet e Bashkuara.

Pas ceremonisë së betimit Biden dhe Harris do të vendosin kurora në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare në Arlington. Zoti Biden dhe zonja Harris pritet të flasin në mbrëmje në një shfaqje të posaçme televizive dhe në orën 23:00 do të nënshkruajnë urdhrat e parë ekzekutiv.

Në orën 2:30 do të ketë një koncert me artistët muzikorë Katy Perry, Luis Fonsi, Tim McGraë dhe Lin-Manuel Miranda . Gjithashtu do të jenë  të pranishëm aktorët Kerry Washington, Eva Longoria si dhe ylli i basketbollit, Kareem Abdul-Jabbar.

Ndërkohë pak minuta para fillimit të ceremonisë së inaugurimit të Presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden  alarm për bombë në afërsi të godinës së Kongresit. Mësohet se i gjithë stafi i Gjykatës Supreme ku dhe u raportua alarmi, është evakuar me shpejtësi ndërsa u vendos perimetri i sigurisë. Mijra forca ushtarake ndodhen në terren në Uashington nga frika e përsëritjes së trazirave të 6 janarit në Kongres, që lanë pas 5 viktima.