Sport

Nis Kategoria Superiore, sot superndeshja Teuta-Partizani!

Edicioni i ri i Kategorisë Superiore nis sot në 19:45 me një superndeshje në “Elbasan Arena”. Dy nga katër skuadrat që rivalizuan deri në ditën e fundit për titullin kampion, Teuta e Partizani do të jenë përballë në takimin hapës të sezonit të ri.

Kampionët e Shqipërisë kanë ndryshuar shumë nga edicioni i fundit, por synimet e “djemve te detit“ janë të njëjtat, sërish kërkohet froni i kampionit. Edi Martini vijon të mos ketë të disponueshëm Lorenco Vilën, teksa do të mbështet tek fantazia e Sherif Kallakut për të ndërtuar manovrën sulmuese.

Ndryshime ka patur edhe tek të kuqtë, të cilët janë mbështetur tek merkato për të zëvendesuar të larguarit dhe të paktën në letër duket sikur kanë kryer një fushatë pozitive për të afruar futbollistë cilësorë, siç janë Ergys Kaçe, apo pse jo dhe rikthimi i shpejtë i Esat Malës. Këta dy të fundit nuk do ta nisin nga minuta e parë sepse i janë bashkuar vonë skuadrës dhe në këtë mënyrë gjasat janë që në mesfushë të vendosën Rrapaj, Murataj dhe Herald Marku, ndërkohë që sulmi do të jetë me ato emra që në Europë dhanë sinjale shumë pozitive, pra Tedi Cara, Stenio Junior dhe Lucas Cardoso.

Në katër përballjet e sezonit të shkuar, kryefjala ishin barazimet sepse tre sfida u mbyllën në ekulibër ndërsa në fazën e katërt ishin demat që triumfuan në “Niko Dovana” me golin e Çinarit.