Aktualitet Rajoni

Nis në Elbasan mbledhja e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë/ Rama: Sfidë e përbashkët, rritja e zbatueshmërisë së marrëveshjeve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi nga takimi i shtatë në radhë mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës se një sfidë e përbashkët mbetet “rritja e zbatueshmërisë së marrëveshjeve”.

Numri një i qeverisë shqiptare mirëpriti të premten e 26 nëntorit, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili mbërriti rreth orës 10:00 në ambientet ku qëndronin ministrat përkatës të të dyja qeverive.

Pas mbërritjes së Kurtit, të dy udhëheqësit u pozicionuan në tavolinën me qilimin kuq e zi dhe flamurin e Kosovës në trupin e saj.

Kurti iu bashkua të gjithë zyrtarëve që kishin vendosur maskat e dizenjuara për këtë takim vëllazëror.

Fillimisht, Rama nënvizoi se mbledhja e sotshme vjen pas një viti sfidues pandemik.

“Sot e sjellim bashkëpunimin e të dyja shteteve më pranë njerëzve”, ravijëzoi kryeministri.

Rama shtoi se do të ketë një angazhim të përbashkët për heqjen e lejeve të përkohshme apo për rregullimin e trafikut lokal të kufirit.

“Njohja e sigurimeve shoqërore jep një mesazh kuptimplotë për qytetarët shqiptarë apo kosovarë”, vërejti kryeministri.

Sipas tij, njohja e diplomave, heq një procedurë të tërë procedurash burokratike.

Ai pohoi se suksesi i kësaj marrëveshjeje mund të shërbejë si shembull për njohjen e diplomave në rajon e më gjerë.

Sot pritet të firmosen disa marrëveshje, të cilat kanë qarkulluar më herët në media.

Fokusi i kabineteve qeveritare do të jetë në fushën e lëvizjes së lirë, arsimit, drejtësisë, infrastrukturës, kulturës dhe lehtësimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar.

Ceremonia e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve ndërqeveritare parashikohet të bëhet në orën 11:20.

Pas kësaj do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp nga të dy kryeministrat.

Takimi do të përmbyllet me një bashkëbisedim mes Ramës dhe Kurtit me përfaqësuesit e bizneseve.