Bota

Nis në Suedi gjyqi i skandalit më të madh të mbetjeve toksike në vend!

Njëmbëdhjetë njerëz dolën sot para gjyqit në Suedi në një prej skandaleve më të mëdha të mbetjeve toksike në vend.

Kompania dikur me reputacion e trajtimit të mbetjeve, akuzohet se ka varrosur pa i trajtuar  200,000 ton mbetje nga kryeqyteti Stockholm në 21 vendndodhje, pa pasur në plan t’i përpunonte, shkruan rrjeti AFP.

Mes të akuzuarve për “krime të rënda mjedisore” janë ish-drejtorja ekzekutive e kompanisë Bella Nilsson, që mediat në vend tashmë e quajnë “mbretëresha e plehrave”.

Nilsson refuzoi të fliste me mediat, duke larguar mikrofonët e gazetarëve teksa hynte sot në gjykatë.

Gjyqi që pritet të jetë i gjatë, do të trajtojë nivelin e lartë të toksicitetit të përbërësve si plumb, arsenik, mërkur e kimikateve të tjera që janë lëshuar në tokën e ujin e vendit, duke dëmtuar rëndë shëndetin e njerëzve, kafshëve e bimëve në Suedi.

Prokurorët thonë se kompania tashmë e falimentuar NMT Think Pink, “mblidhte mbetje pa pasur në plan t’i trajtonte” duke lëshuar në ambjent qëllimisht materiale si metale, plastika, elektronike, gomë e dru.

Bashkë me Nilsson, gjykohet ish-bashkëshorti i saj Thomas, themelues i kompanisë, ndërmjetësi Robert Silversten dhe sipërmarrësi Leif Ivan Karlsson, personazh televiziv i njohur për stilin ekstravagant të jetesës.