Aktualitet Politikë

Nis protesta e opozitës, Meta dhe Berisha bëhen bashkë para Kryeministrisë

Ka nisur para pak minutash tubimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku qytetarë nga i gjithë vendi i janë përgjigjur thirrjes së Sali Berishës dhe Ilir Metës për protestën kundër qeverisë.

Me vete protestuesit kanë marrë edhe një gomone, që simbolizon ikjen e shqiptarëve çdo ditë drejt Britanisë së Madhe. Do të jenë rreth 20 folës, shumica nga shoqëria civile që do të marrin fjalën e tyre në podium. Peshën kryesore të fjalës do ta kenë dy liderët e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, Sali Berisha e Ilir Meta.

Secili nga selitë e tyre, Sali Berisha dhe Ilir Meta iu drejtuan protestuesve për t’u bashkuar në bulevardin dëshmorët e Kombit.

I pari që la selinë blu ishte ish kryeministri Berisha, i cili ndryshe nga herët e tjera, fjalimet politike nuk i bëri për mediat, po la t’i drejtohet protestuesve nga podium i vendosur para kryeministrisë.

Sakaq aleati i tij në opozitë, e konsideroi këtë një ditë të jashtëzakonshme, ndërsa foli për një protestë paqësore.

“Një ditë e jashtëzakonshme. Ju e shikoni sa paqësore është atmosfera. Nuk ka asnjë rëndësi, Rama ka qindra udhëtime me charter vjedh cdo sekondë shqiptarët pa qenë nevoja të jetë në Shqipëri. Është urgjente largimi dhe shporrja e tij. Si mund të bëhet kjo pyetje për një njeri që ka bërë të kundërtën e cdo premtimi si mund të kesh një raport me një njeri që I ka vënë kazmën demokracisë. Poshtë zyrës së tij dalin fëmijët, prindërit, 105 mijë biznese kanë falimentuar. Protesta dhe zgjedhje, kjo është një pranverë demokratike që nuk ndalon. Qytetarët janë të ndërgjegjshëm që ky është vendi I tyre dhe kryeministria parlamenti, e gjithcka u takon atyre” u shpreh Meta.

Protesta nisi rreth orës 16:00, por prej orës 15:00 janë bllokuar disa rrugë në kryeqytet.

“Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

Sheshi “Nënë Tereza”

Rruga “Ismail Qemali”

Kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”

Rruga “Papa Gjon Pali II”

Bulevardi “Zhan D’Ark”

Bulevardi “Bajram Curri”

Kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë po bëhen gati për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, ndërsa nuk mungojnë edhe pajisjet për hedhjen e gazit lotsjellës. Gjithashtu forca policie janë vendosur brenda rrethimit të godinës së Kryeministrisë.

Rreth 1200 efektivë janë mobilizuar për këtë protestë, ndërsa kanë mbërritur Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë nga qytete të ndryshme të vendit.

Forcat Speciale RENA janë vendosur në tarracat e godinave për të monitoruar elementët e dyshimtë që mund të kryejnë veprime të paligjshme.