Aktualitet

Nis protesta e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve, “Pilafi s’mban më ujë”!

“Pilafi s’mban më ujë”! Mbi këtë slogan është thirrur nga shoqëria civile protesta për rritjen e çmimeve. Protesta e paralajmëruar në orën 18:00 ka nisur. Qytetarët priten të mblidhen në “Sheshin Skënderbej” e nga aty, do të drejtohen për te “Kryeministria”.

Qytetarët janë shprehur më herët se do të marrin pjesë në protestë, ndërsa shtuan njëzëri se rritja e çmimeve e ka bërë të papërballueshme jetesën e tyre. Kategoritë pjesëmarrëse në protestë do të jenë nga më të ndryshmet, duke nisur me studentët e përfunduar me moshat e treta, që kërkojnë rritje të pensioneve.

Ata i bëjnë thirrje që të ulin çmimet pasi qeveria po merr në qafë popullin.

“Duhet të ngrihet gjithë populli për ta hequr qafe këtë qeveri që na mori në qafë. Jam këtu për të protestuar për çmimin e karburantit, të ushqimeve dhe të tëra. Kam punuar në nëntokë, marr 180 mijë lekë. Po kërkojmë të drejtat tona. Popullin e morën në qafë” – tha një prej qytetarëve.

“Të ulet çmimi i karburantit se nuk po mundemi të shkojmë në punë. Jemi shumë më dobët se para 2 viteve. Kërkojmë të ulet çmimi i karburantit, të shkojmë në punë, të hamë bukë. Me çfarë do hamë, me këto çmime” – u shpreh një qytetar tjetër.

“Ne po fillojmë të organizohemi sërish. Situata është e rënduar, ka rritje të çmimeve të shportës së ushqimeve, të ardhurat të njëjta” – tha një qytetar tjetër.