Aktualitet Politikë

Nis punimet Kongresi i Partisë Socialiste!

Me një format ndryshe, Partia Socialiste ka mbledhur sot Kongresin, i ideuar për t’i lënë më shumë hapësirë grupeve të interesit. Punimet filluan në orën 09:30 të mëngjesit dhe në pjesën e parë janë pesë panele:

Rinia, Inovacioni, Fëmijët

Rajoni, Europa, Siguria

Bujqësia dhe Siguria Ushqimore

Energjia, Mobiliteti, Mjedisi

Shëndetësia dhe Mbrojtja Sociale

Pjesa e dytë e punimeve të Kongresit starton rreth mesditës me fjalën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, kushtuar pjesëve organizative e politike të selisë rozë.

Referuar axhendës zyrtare, nga ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, në Kongres do të paraqiten rezultatet e procesit të Këshillimit Kombëtar dhe objektivat.

Ditmir Bushati do të flasë mbi hapjen dhe fuqizimin e Partisë Socialiste, ndërsa kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla në lidhje me përfaqësimin e qytetarëve dhe përgjegjësitë e maxhorancës.

Në vijim të këtij sesioni pritet fjala e Kryeministrit, njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

Ndërkohë punimet e Kongresit do të ecin më tej me prezantimin e paketës së ndryshimeve në Statutin e PS-së dhe prezantimin e platformës së re digjitale.

Kongresi pritet që të vendosë ndërprerjen e mandatit për krerët aktualë të PS-së në degët e rretheve, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja që do të zhvillohen në javët e para të majit.

Mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama publikoi një foto nga selia e PS-së, me në sfond liderin historik të kësaj partie, Fatos Nano.

Mirëmëngjes dhe me ndjesën që po ju zgjoj si gogol në këtë ditë pushimi, teksa PS e ka ditë Kongresi, uroj për të gjithë ju një fundjavë të qetë!