Aktualitet

Nis tërheqja e të ftohtit polar në vend!

Dita e sotme shënohet nga një tërheqje e valës së ftohtë duke sjellë rritje të temperaturave në Ultësirën Perëndimore. Por, në zonat malore në lindje të territorit mbeten prezente temperaturat e ulëta e ngricat. Sipas shërbimit MetoAlb, orët në vijim do të jenë nën ndikimin e motit me alternime vranësirash e kthjellimesh. Më të theksuara, vranësirat paraqiten në verilindje e juglindje të vendit. Temperaturat e ajrit variojnë nga minus 12 në 10 gradë celcius.

Pavarësisht motit me temperatura nën zero gradë dhe reshjeve të dëborës, në Rrugën e Kombit qarkullimi vijon pa probleme. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale:

Mirëmëngjes dhe me Rrugën e Kombit, e cila kalohet normalisht dhe tanimë garanton standardet më të larta të sigurisë, ju uroj një ditë të mbarë!

Reshjet e dëborës që ranë gjatë këtyre ditëve në Kukës nuk krijuan probleme në Rrugën e Kombit ku u morën masa për pastrimin dhe kriposjen e saj nga firmat e mirëmbajtjes. Autostrada Milot-Morinë vlerësohet si një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore shqiptare, që krijon mundësi jo vetëm për dalje në tregje më të mëdha, por lidh ekonomikisht dy shtete të të njëjtit komb.

Me ndërtimin e kësaj autostrade, koha e udhëtimit nga Durrësi në Morinë u shkurtua nga 6 orë, në 2 orë e gjysmë, me një shpejtësi qarkullimi nga 80–130 km/h.Autostrada me gjatësi rreth 170 kilometra është ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore dhe falë investimeve të kryera siguria e lëvizjes në të është e lartë.
Sa i përket situatës së qarkullimit në vend, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë konfirmoi se nuk ka pasur probleme. Gjithashtu, as në porte dhe aeroporte nuk ka pasur asnjë problem.

Në vijim të punimeve për fazën e dytë të rehabilitimit të segmentit “Universiteti Epoka-Rinas (aeroport)”, rruga “Rinas-Universiteti Epoka” do të jetë e mbyllur. Sipas ARRSH-së, mjetet që lëvizin drejt aeroportit duhet të ndjekin “Rrugën e Vorës”. ARRSH kërkon mirëkuptimin e bashkëpunimin e drejtuesve dhe bizneseve të zonës, si dhe respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore e udhëzimeve të Policisë Rrugore në terren.