Bota

Nis tranzicioni presidencial në SHBA, Trump “dorëzohet”

Në SHBA i hapet rruga tranzicionit politik. Administrata e Shërbimeve Qeveritare, GSA njoftoi presidentin e zgjedhur Joe Biden se administrata Trump është gati të fillojë procesin e tranzicionit. Kjo u bë e ditur në një letër të dërguar nga shefja e GSA-së, Emily Murphy.

Me zhvillimet e fundit, përpjekjet e presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, që kishin pësuar disa disfata, duket se po i afrohen përfundimit. Dhënia e autorizimit nga GSA do të thotë që ekipi i Biden-it do të ketë fonde federale dhe një zyrë për të kryer tranzicionin gjatë dy muajve të ardhshëm. Kjo gjithashtu bën të mundur që Presidenti i 46-të e zv.presidentja e zgjedhur Kamala Harris të marrin njoftime të rregullta të sigurisë kombëtare që merr dhe Trump.

Ndonëse në “Twitter”, presidenti aktual bënte të ditur se i rekomandoi Murphy-t të fillonte tranzicionin, shefja e GSA-së theksoi se “vendimi ishte i vetë asaj”.