Aktualitet

Nis viti i ri shkollor për 350 mijë nxënës!

Nisi sot viti i ri shkollor në të gjithë vendin për 350 mijë nxënës, nga të cilët 28 mijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Ky vit shkollor, sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit dhe Sportit vjen plot me risi dhe investime të rëndësishme.

Kështu, janë shpërndarë tekste falas për 238 mijë nxënës, ndërsa viti i ri shkollor do të nisë me 25 shkolla të reja dhe më shumë se 216 laboratorë smart dhe terrene të reja sportive.

Po ashtu, ky vit nis me paga më të larta për mësuesit, duke i motivuar ata dhe më shumë në punën e tyre. Tashmë pas rritjes së pagave, paga mesatare e mësuesve është 950 euro në muaj për ta.

Në të gjitha shkollat u krye shpërndarja e librave falas. Shpërndarja e librave falas është një nismë e qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për t’u ardhur në ndihmë familjeve shqiptare, duke e bërë shkollën jo vetëm gjithëpërfshirëse, por edhe ndihmuese.

Nxënësit, të cilët i përkasin kategorive të veçanta, do të përfitojnë libra falas për këtë vit shkollor.

Me fillimin e vitit të ri shkollor, ndihmës specialistët në zona do të kenë kontakt të përditshëm me oficerët e sigurisë dhe drejtuesit e shkollave. Edhe Patrullat e Përgjithshme do të jenë të pranishme sipas juridiksionit të tyre.

Policia Rrugore do të ketë një prani të shtuar në akset rrugore, veçanërisht pranë shkollave që ndodhen pranë rrugëve kryesore, si në fillim ashtu edhe në përfundim të procesit mësimor. Do të kryhen kontrolle të vazhdueshme dhe rigoroze për drejtuesit e automjeteve që transportojnë nxënësit, duke përfshirë testet për alkool, kontrollin teknik të automjeteve dhe zbatimin e rregullave të transportit të nxënësve.

Policia e Shtetit, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2024-2025, garanton prindërit për një angazhim maksimal në garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.