Bota

Nisin largimet nga Afganistani të pjesëtarëve të komunitetit LGBT+!

29 afganë që i përkasin komunitetit LGBT+ mbërritën në Britaninë e Madhe, pasi ky vend dhe organizatat për të drejtat e homoseksualëve u angazhuan për t’i larguar nga Afganistani. Siguria e tyre është në rrezik të lartë më rikthimin në pushtet të talebanëve, në mes të muajit gusht, pas tërheqjes amerikane e të aleatëve. Londra zyrtare shpreson që muajt e ardhshëm, të evakuojë nga Afganistani më shumë pjesëtarë të komunitetit LGBT+.

Ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss:

Ne luajtëm rol kyç në largimin e këtyre njerëzve dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi, për të ndihmuar afganët e rrezikuar, të largohen nga vendi.

Në mesin e 29 afganëve ka studentë dhe aktivistë, që vazhdimisht kanë ngritur zërin, në mbrojtje të barazisë për komunitetin LGBT+ në Afganistan ku talebanët sundojnë me rregulla të ashpra të ligjit islamik, Sheriatit dhe shumë grupe ndihen të rrezikuar. Personat e identifikuar si LGBT janë ndër më të riskuarit. Sipas autoriteteve britanike, “shumë prej tyre përballen me nivele të rritura të persekutimit, diskriminimit dhe sulmeve”. Grupi i afganëve do të mbështetet nga Stonewall, Micro Rainbow e të tjera organizata, duke i asistuar të krijojnë jetën e tyre të re në Britaninë e Madhe.

Sebastian Rocca, Shefi Ekzekutiv i Micro Rainbow:

Po krijohen shtëpi të sigurta për afganët. Gjithashtu, organizata do t’i ndihmojë të kenë akses në këshillim, kujdes shëndetësor, si dhe në gjetjen e vendeve të punës.

Stonewall dhe organizata kanadeze Rainbow Railroad ishin pjesë e përpjekjeve për ta dërguar grupin në Britani.