Art & Kulturë

Nisin sot Javët Ndërkombëtare të Kulturës, Shqipëria mikpritësja e botës

‘Shqipëria mikpret botën’, nisin sot Javët Ndërkombëtare të Kulturës. Në një konferencë për mediat, kryeministri Edi Rama tha se synimi është që të kthehet në një traditë të përvitshme, pasi është mundësi për të shpalosur tradita e kultura të ndryshme. Kjo javë do të jetë e Francës, për të vijuar më pas edhe me vendet e tjera, ndërsa në nëntor do të mbyllet me Kosovën.

“Këtë javë ne synojmë të jetë një traditë e përvitshme për të shpalosur tradita, kultura të ndryshme, për të shpalosur forma dhe shprehje nga më të larmishmet të aktivitetit të çdo qytetërimi dhe për të krijuar hapësira të reja të ndërveprimit me kulturat e tjera, por dhe argëtimit të qytetarëve apo edhe të vizitorëve dhe turistëve që mund të gjenden në vendin tonë. Si viti i parë që nis ky program, është i gjithi në një fazë nisje që do pasurohet në vitet e ardhshme, është një eksperiencë ere prej të cilës do mësojmë e do kuptojmë më shumë. Fillojmë me javën e Francës “, tha ai.

Rama theksoi se do të përfshihen aktivitete nga më të ndryshmet, një program për të gjitha grupmoshat në vend, që do të gjejnë arsye për ta frekuentuar.

“Disa prej vendeve të përfshira janë të angazhuara prej kohësh në angazhimin e javëve të tyre kulturore, por ky angazhim i përbashkët i bën shumë më të aksesueshme për publikun. Do përfshihen aktivitet më popullore, aktivitete në rrugë, tradita e gatimit të vendeve të tjera. Është program që ne synojmë të jetë një program ku të gjitha moshat të mund të gjejnë arsye për t’i frekuentuar. Program ku ne synojmë të ketë hapësirë që nga moshat e reja, deri te pensionistët”, u shpreh kryeministri.

Javët Ndërkombëtare të Kulturës do të nisin pasditen e sotme në orën 19:40 në Sheshin Skënderbej me Francën, për të vijuar çdo ditë me aktivitete që do të prezantojnë kulturën dhe traditat e 17 shteteve, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Berat e Durrës. Aktiviteti do të përmbyllet më pas në nëntor me Kosovën. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se në dispozicion të kësaj nisme janë vënë 100 milion lekë nga qeveria shqiptare.

Do ndalohen turistët rusë në Shqipëri? Rama: Nuk ndodh!

Lufta në Ukrainë ka rritur frikën nga influenca ruse në të gjithë botën, megjithatë për kryeministrin Rama kjo nuk është arsye për t’i mbyllur dyert turistëve rusë që do t’i drejtohen vendit tonë. Përgjigjen e prerë ai e dha në konferencën për nisjen e Javëve Ndërkombëtare të Kulturës.

Pyetje: Shqipëria ka lehtësuar procedurat për hyrjen e të huajve në vend, përfshirë edhe për rusët, mendoni se duhet rishikuar sepse influence ruse është shumë prezente?

Edi Rama: Jo, nuk mendoj, vazhdojmë me tjetrën

Qeveria ka marrë vendimin që 8 shtete do të përfitojnë lehtësira nga vizat turistike me Shqipërinë, me qëllim nxitjen e ardhjes së turistëve.

Javët e Kulturës/ Pse nuk e financojnë vendet që promovohen? Rama: Pyetje groteske, kultura e tyre është e gjithë botës

Për Kryeministrin Rama promovimi i vlerave kulturore të vendeve të tjera është investim madhor për gjithë shoqërinë tonë, pasi kultura është pasuri e përbashkët e njerëzimit.

“Këtu është fjala për të ushqyer veten, shoqërinë, komunitetin, bashkësinë, fëmijët, të rinjtë, me menynë fantastike të të gjitha kulturave. Për të bërë këtë financimi I vënë në dispozicion është tejet modest në krahasim me atë që duhet të ishte dhe në krahasim me çfarë sjell mbrapsht si vlerë e shtuar në organizimin e shoqërisë tënde. Është një pyetje groteske. Nuk e kuptoj fare se si mund të trajtohet kultura e të tjerëve si kulturë e të tjerëve. Kultura është pasuri e përbashkët e njerëzimit”, tha Rama.

Margariti: Do e mbyllim me Kosovën për të shpalosur ‘mikpritjen’ e shqiptarisë

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka folur për ciklin e Javëve Ndërkombëtare të Kulturës duke thënë se synimi është për të përfshirë të gjithë të rinjtë e 17 shteteve të botës.

Margariti tha se do të ketë vetëm një pauzë në muajt Korrik-Gusht për shkak të sezonit veror ndërsa cikli do të mbyllet në fund të muajit Nëntor me Kosovën për të shpalosur “mikpritjen”, një nga karakteristikat më të mira të shqiptarisë.

“Pas një periudhe të gjatë përgatitjesh intensive për të çelur dyert e Shqipërisë për ë gjithë vendet me të cilët bashkëpunojmë prej vitesh, për të krijuar akoma më shumë bashkëpunim të të rinjve, bizneseve dhe institucioneve në Shqipëri me vendet partnere, është moment celebrimi por ky program synon të sjellë mozaikun e larmishëm duke fokusuar lidhjen e ngushtë jo vetëm si relata demokratike por edhe relata të të rinjve.

Është një nismë e mirëpritur nga vendet partnere. Gjatë pandemisë e pamë sa e rëndësishme ishte të riktheheshim në aktivitete artistike dhe e vazhduam këtë traditë dhe e sjellim me këtë iniciativë dhe synojmë që të vijojë dhe për vitet e tjera. Janë 17 shtete, javë janë më tepër se kemi dhe BE në muajin maj sipas traditës. Do të kemi SHBA, Japoninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kinën, Izraelin, Francën, Spanjën që fillojnë me një celebrim të madh këtë javë në sheshin Skënderbej.

Jemi fokusuar në shumë grupmosha por kemi dashur që të rinjtë 18-35 vjeç të kenë larmishmëri të madhe aktivitetesh. Do të kemi në të gjitha javët mbrëmje të dedikuara, filma në kinema, kemi parë dhe një mundësi të artë përmes kësaj nisme që të lidhim bashkëpunim me producentë të botës për ta lidhur me nisma të tjera të Ministrisë së Kulturës.

Kjo nismë bën bashkë shumë sektorë. Do të kemi larmishëmri të aktiviteteve, në korrik-gusht nuk do të ketë aktivitete. Deri në fund të qershorit kemi javët dhe do e rifillojmë në shtator dhe do e mbyllim në fund të nëntorit me Kosovën me të bukurën, me shqiptarinë. Në takimet e ndryshme që kam pasur e kanë mikpritur dhe i kanë dhënë jehonë të madhe kësaj nisme ku Shqipëria shpalos një nga karakteristikat më të mira që është mikpritja.

Kultura nuk është vetëm aksesor por kthehet dhe në aktor kyç. Do fillojmë sot në sheshin Skënderbej në 19:40 dhe për ta vijuar çdo ditë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Berat e Durrës”, tha Margariti.