Bota

Nivelet aktuale të dioksidit të karbonit, të papara në miliona vite!

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkencëtarë të Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike, NOAA, jep alarmin se dioksidi i karbonit në atmosferën e Tokës është rritur në nivele që tani janë më shumë se 50% më të larta se në kohët paraindustriale.

Dioksidi i karbonit ose CO2, i matur në Observatorin Bazë Atmosferik të NOAA-s në Mauna Loa, në Hauai, arriti kulmin për vitin 2022 në 421 pjesë për milion (ppm) në maj, duke e shtyrë atmosferën më tej, në një territor të paparë prej miliona vitesh. Përpara Revolucionit Industrial dhe për gati 6 mijë vjet qytetërim njerëzor, nivelet e CO2 ishin vazhdimisht rreth 280 ppm.

Që nga ajo periudhë e transformimeve të thella teknologjike, e cila filloi në shekullin XVIII-të, shkencëtarët vlerësojnë se njerëzit kanë gjeneruar rreth 1.5 trilion ton ndotje CO2, shumica e të cilave do të vazhdojnë të ngrohin planetin për mijëra vitet e ardhshme.

Njoftimi u bë nga shkencëtarët nga NOAA, një agjenci federale që ofron shkencë dhe shërbim për mbrojtjen e burimeve natyrore të Tokës, si dhe nga Instituti Scripps i Oqeanografisë, në Universitetin e Kalifornisë, në San Diego. Në një deklaratë, administratori i NOAA-s,  vuri në dukje:

Shkenca është e pakundërshtueshme. Njerëzit po ndryshojnë klimën, në mënyra që ekonomia dhe infrastruktura jonë duhet të përshtaten. Ne mund të shohim ndikimet e ndryshimit të klimës rreth nesh, çdo ditë. Rritja e pamëshirshme e dioksidit të karbonit e matur në Mauna Loa është një kujtesë e fortë se ne duhet të ndërmarrim hapa urgjente dhe serioze për t’u bërë një komb më i gatshëm, për t’u përballuar me klimën.

Sipas NOAA-s, ndotja nga dioksidi i karbonit gjenerohet nga djegia e lëndëve djegëse fosile për transport e prodhimi i energjisë elektrike, si dhe nga prodhimi i çimentos, shpyllëzimi, bujqësia e po ashtu, praktika të tjera.