Botë e Çuditshme Travel

Një ëndërr e bërë realitet, ju njohim me 30-vjeçarin që ka vizituar çdo vend të botës!

Të udhëtosh nëpër të gjithë botën është një objektiv pothuajse i pamundur për t’u arritur. Megjithatë, një person e ka arritur atë në moshën 30-vjeçare. Ai është amerikani Drew Binsky, i cili aktualisht ka një kanal në ‘YouTube’ me më shumë se dy milionë ndjekës, në të cilin tregon eksperiencat e tij të shumta përgjatë udhëtimeve që ka bërë. Në më pak se një dekadë, ai ka arritur të vizitojë çdo vend të botës.

Në një intervistë për “CNBC”, Binsky, i cili zbarkoi në Arabinë Saudite, tregoi një metodë befasuese të organizimit të vizitave në secilin vend:

Plani im është të mos kem plane. Më pëlqen të jem spontan. Momentet më të mira të jetës vijnë kur dilni nga zona juaj e rehatisë.

Amerikani shton se i ka besuar ndjekësve të tij në rrjetet sociale, të cilët e kanë ndihmuar gjatë vizitave në vendet përkatëse. Përveç kësaj, ai zbuloi se ka vizituar deri në 160 vende pa pasur nevojë të marrë vizë. Të gjitha këto i ka arritur në moshën 30-vjeçare, ndonëse nuk ka qenë një rrugë e lehtë për të, i cili ka rrëfyer në intervistë se ka rezultuar pozitiv me COVID-19 pas një testi që i është bërë në Iran.

Lidhur me mënyrën se si i financonte të gjitha udhëtimet e tij, Binsky zbuloi se rroga e parë që mori ishte si mësues i anglishtes në Korenë e Jugut, vend ku fitonte rreth 2000 dollarë në muaj. Nuk ishte i vetmi burim financimi për këtë udhëtar, pasi ai fitoi deri në 30,000 dollarë me rrjetin social Snapchat, nga të cilat 5,000 dollarë për pjesëmarrjen në Lojërat e Rio de Janeiro në 2016. Më pas, përmes të ardhurave nga reklamat dhe YouTube, ai mori më shumë të ardhura, përveç blogut të tij të udhëtimit, me të cilin arriti të ulte kostot e udhëtimit.