Auto & Moto

Një fabrikë të makinave elektrike në SHBA, objektivat e reja të Audi!

Audi, e cila është nën pronësi të Volkswagen po planifikon një fabrikë të makinave elektrike në Shtetet e Bashkuara për të përfituar nga subvencionet e ofruara nga Akti i Reduktimit të Inflacionit. Shefi ekzekutiv Markus Duesmann tha se:

Ne nuk kemi ende një fabrikë në SHBA. Me Aktin e Qeverisë Amerikane për Reduktimin e Inflacionit, ndërtimi i një fabrike në SHBA për makinat elektrike është bërë sigurisht shumë tërheqëse. Audi ka shumë të ngjarë të ndërtojë një fabrikë të përbashkët me Volkswagen, e cila po planifikon të ndërtojë më shumë makina për tregun amerikan në të ardhmen.

Prodhuesit e makinave vitet e fundit kanë bërë lëvizje drejt reduktimit në eksportet dhe importet në tregjet kryesore si Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Evropa dhe në vend të kësaj kanë lokalizuar zinxhirët e prodhimit dhe furnizimit për të ulur kostot e transportit dhe logjistikës.

Por një numër në ngritje i firmave tani po dalin me njoftime për rritje të investimeve në Shtetet e Bashkuara mbi Evropën, kjo pas subvencioneve të bollshme dhe stimujve të taksave të ofruara nga Akti për Reduktimin e Inflacionit.

Akti për Reduktimin e Inflacionit me vlerë prej 430 miliardë dollarëve u aprovua në gushtin e vitit të kaluar dhe ofron subvencione dhe stimuj të taksave për një sërë produktesh të industrisë së gjelbër të prodhuara në vend, duke përfshirë një kredi tatimore prej 7,500 dollarësh për blerësit e makinave elektrike të prodhuara në Amerikën e Veriut.