Aktualitet

“Një kukull që pret vajzën e vogël të luajë…”/Gazetarja publikon foto nga plazhi i boshatisur i Potamit!

Ditën e djeshme një ngjarje e rëndë ndodhi rreth mesditës, kur Arjan Tase përplasi me gomone vogëlushen përpara prindërve të saj. Goditja ishte aq e fortë, sa 7-vjeçarja ndërroi jetë në vend, ajo u copëtua nga helikat e gomones që eci mbrapsht drejt bregut.

Qindra pushues të irrituar nga ngjarja sulmuan verbalisht Arjan Tasen, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Elbasan. Efektivët e policisë arrestuan kolegun e tyre dhe e shoqëruan atë në komisariatin e policisë Himarë. Ndërsa drejtori i përgjithshëm i policisë së Shtetit, Gledis Nano përjashtoi nga radhët e uniformave blu të Arjan Tases si dhe pezulloi nga detyra Drejtorin e Kufirit dhe Migracionit Vlorë, Shpëtim Hasanalia.

Të shumta kanë qenë edhe reagimet mes tyre edhe ai i gazetares Esmeralda Keta e cila në rrjetin e saj social Facebook ditën e sotme ka postuar disa foto nga vendngjarja dhe ka shkruar:

Mëngjes i trishtë sot në Potam…
Një kukull që pret vajzën e vogël të luajë me të, një lule për lulejetën e re që nuk e mbrojtëm dot, rrobat e familjarëve ende mbi shezllonë dhe plazhi krejtësisht i braktisur…
Ikën të gjithë, ikën të shpëtojnë fëmijët e tyre, sepse nuk ditëm t’u krijojmë një vend të sigurtë
Sot të gjithë jemi fajtorë, e pafajshmja u bë ëngjëll…