Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, foli në një intervistë për streamer-in e njohur, Adin Ross, aty ku komentoi disa personazhe të njohur nga politika, por jo vetëm.
Një prej tyre ishte dhe lideri suprem i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për të cilin Trump nuk i kurseu elozhet, teksa tregoi dhe disa nga bisedat e takimeve të tyre.
“E pyeta nëse e kishte dëgjuar këngën ‘Rocket Man’ të Elton John dhe më pas ia hapa që ta dëgjonte. Më tha që kishte një buton të kuq dhe i thashë që dhe unë kam një buton të kuq, por i imi është më i madh dhe punon”, ishin fjalët e para të Trump për sa i përket takimit me Kim Jong Un.
Më pas ai shtoi: “Mu dha rasti që ta njihja goxha mirë dhe kemi shkuar mjaft mirë së bashku. Është shumë i fuqishëm, është një lider absolut. Disa njerëz nuk mendojnë kështu, por ai është një lider. Kur ai flet, i gjithë populli i tij e dëgjon. Ai është një fuqi e vërtetë. Mendoj se është i mërzitur që unë nuk jam në Shtëpinë e Bardhë”.
Trump gjithashtu pretendoi se Kim ka formuar një opinion për zëvendëspresidenten Kamala Harris.
“Ai nuk e njeh, por krijon opinione dhe jam i sigurt që Kamala nuk i pëlqen. Ai gjithashtu mendon se Biden është një njeri shumë budalla. Ai do ta thoshte këtë, por po e them unë. Të paktën për këtë biem dakord të dy”, tha Trump.
Të dy liderët u takuan në qershor 2018 për një samit historik në Singapor, ku ishte takimi i parë ndonjëherë midis një presidenti në detyrë të SHBA dhe një udhëheqësi të Koresë së Veriut, për të diskutuar denuklearizimin e Gadishullit Korean.
Në shkurt 2019, ata u takuan përsëri në Hanoi, Vietnam, por ajo përfundoi papritur. Muaj më vonë, në qershor 2019, ata u takuan për herë të tretë dhe Trump u bë presidenti i parë në detyrë i SHBA-së, që shkeli në Korenë e Veriut.