Celebrities Music

Një ninullë dashurie për partnerin? Enxhi Nasufi na zbulon më shumë mbi projektin e saj të ri “Lullaby”!

E ftuar ditën e sotme në emisionin e mëngjesit në “Wake Up” ka qenë këngëtarja e njohur Enxhi Nasufi. Së fundmi Enxhi ka publikuar projektin e saj më të ri të titulluar “Lullaby”, ose ndryshe ninullë. Ajo na ka zbuluar më shumë se si lindi ky projekt dhe pse pikërisht ‘ninullë’. Lidhur me “Lullaby” ajo u shpreh se:

Me ninullën time njerëzit do të kërcejnë, nuk do të qajnë, nuk do të flejnë. Zakonisht ninullat i këndojnë nënat për fëmijët e tyre, por jo në këtë rast. Ninulla ime është për atë që dua, i drejtohem atij që dua. Në këngë i them që më lër të jem ninulla jote, që zëri im të jetë ninulla jote. Por mund të jetë dhe për faktin që do të bëhem nënë një ditë (qesh).

Këngë me titull ninullash ka shumë. A kishte Enxhi merak se do të kishte ndonjë përplasje?

Kam shumë kohë që e kam bërë këtë projekt, kam 5 vjet. Tani erdhi koha të them që do ta bëj e do ta nxjerr patjetër. Nuk ka arsye se pse, po thjesht ndodh ashtu. Me Alandy-n bënim dhe ruanim në kompjuter shumë projekte. Erdhi momenti dhe thashë që do ta bëjmë dhe do ta nxjerrim pa klip, ashtu thjesht, në kanalin tim në YouTube. Në këtë mënyrë do të nxjerr dhe shumë projekte të tjera.

Sa bashkëpunime ka Enxhi me Alandy-n?

Kam shumë projekte me Alandy-n. Të publikuara kam 3 ose 4. Shumicën i kemi të papublikuara.

Me kë do të donte këngëtarja që të bashkëpunonte?

E dua shumë Alban Skënderaj për atë stil që ka. Me Albanin kemi kimi të mirë pasi e kam pasur dhe mentor në “X Factor”. Sa i përket bashkëpunimeve me femra, dy femra rrallë i shohim në bashkëpunime. Duetet me femra janë shumë të fuqishme por të rralla. Dafina Zeqiri dhe Elvana Gjata më pëlqejnë shumë.

Kur do të kemi një projekt të rradhës nga Enxhi Nasufi?

Pas disa muajsh, tani afër. Kemi projekte të reja këtë vit.