Lifestyle

Një pjesëtar i familjes ka ndërruar jetë dhe fëmija juaj është pikëlluar ose nuk po e kupton se çfarë po ndodh, ja si të silleni!

Të humbësh një pjesëtar të familjes natyrisht që është ndjesia më e keqe në botë për çdokënd. Por momenti kur duhet t’ia themi një fëmije këtë lajm të trishtë mbase është më i vështiri. Situatat e vështira në familje bëhen edhe më të rënda kur pranë vetes keni fëmijën të cilit duhet t’ia shpjegoni në mënyrën më të mirë të mundshme se çfarë po ndodh rreth tyre, por që me atë rast të mos i lëndoni dhe të mos u lini pasoja në shëndetin e tyre mendor.

Njëra ndër situatat e tilla është kur fëmijës duhet t’ia themi që dikush nga anëtarët e afërt të familjës ka ndërruar jetë. Një lajm i tillë është i vështirë t’i komunikohet edhe personit të rritur e jo më një fëmijë. Megjithatë, kurrë nuk është mirë që e vërteta të fshihet dhe është shumë më keq kur atë lajm fëmija e mëson nga dikush tjetër në mënyrën më të pakëndshme dhe plotësisht të përgatitur.

Natyrisht, mënyra e komunikimit varet nga mosha. Fëmijët e vegjël nuk e kanë të formuar plotësisht konceptin e vdekjes, kështu që këtë më së shpeshti e përjetojnë ngjashëm me shkuarjen në një rrugë të largët. Me fëmijët më të rritur është e rëndësishme që të jemi aty me ta, që të ndiejnë që nuk janë vetëm me pikëllimin e tyre. Nuk duhet penguar që të tregojnë ndjenjat sepse ndrydhja e emocioneve nuk do të zvogëlojë pikëllimin, por i dërgon sinjal fëmijës që emocionet nuk janë të pranueshme.

Është mirë të tërhiqni vëmendjen e fëmijës duke i përfshirë në aktivitetet që ata dëshirojnë të marrin pjesë. Një sërë problemesh dhe frikash me të cilat përballen fëmijët në zhvillimin e tyre mund të ndikojnë në shëndetin e tyre mendor. Roli i prindërve është të njohin në kohë problemet e shëndetit mendor tek fëmijët dhe t’u kushtojnë vëmendje të veçantë atyre në situata që mund të jenë të vështira për ta.