Aktualitet

Një rrugë në Tiranë merr emrin e Fatos Baxhakut!

Një rrugë në Tiranë do të mbajë emrin e Fatos Baxhakut. I diplomuar për Histori në vitet ’80 dhe shumë i njohur si publicist, gazetar, bashkëthemelues i disa prej mediave të shkruara në vendin tonë, pedagog, autor i një sërë reportazhesh e dokumentarëve televizivë, Tosi, siç miqtë e thërrisnin në dekada, u nda nga jeta në gusht të vitit 2019, në moshën 55-vjeçare. Në pritjen me familjarë, miq e kolegë në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se “kryeqyteti është i nderuar që përkujton një përfaqësues të denjë të gazetarisë shqiptare”.

Një ndjesi shumë e bukur të kujtojmë një mik, një vëlla. Disa e kanë mik e vëlla prej shpirtit e gjakut, disa prej nesh e ‘adoptuan’ si të tillë pasi e njohëm. Fatos Baxhaku i përkiste një gjenerate që nuk vjen më. Unë do doja që kjo gjeneratë të shtohej, por qartazi ka ndryshuar shumëçka nga ajo kohë kur gazetaria ishte idealizëm, kur profesioni ishte më shumë mision se kontabilitet në fund të muajit, kur të qenit mentor i të folurit mirë për dikë, të promovuarit një brez të ri ishte një detyrë mbi detyrat në sensin e jo vetëm të përcjelljes së një zanati apo profesioni, por të dijes që shkon dorë më dorë.

I jemi shumë mirënjohës Fatosit për kontributin e tij, për gjithçka që përfaqëson. Ai i përkiste më shumë se një familjeje.

Në emër të familjes, vëllai i tij, Artur Baxhaku shprehu falënderimet për vlerësimin ndaj punës dhe idealeve që përfaqësoi.

Tosin e kanë dashur shumë sa ishte gjallë. E shoh edhe tani. Nuk është vetëm dashuri, por edhe vlerësim për punën e tij, për idealet që ai kishte, pasionin dhe mendimet për të përmirësuar sadopak dhe për t’i shërbyer këtij komuniteti e njerëzve. Gjesti juaj i vë vulën këtij vlerësimi. Ju falenderoj shumë në emër të familjes!