Art & Kulturë

Një shtëpi pa lule dhe pa libra, nuk vlen asnjë lek!

Në ambientet e “Top Albania Radio” është zhvilluar së fundmi projekti më i ri letrar me titull “VARGJET E PËRTEJME”. Ky projekt i organizuar nga Qendra “Jean Jacques Rousseau” dhe nën moderimin e gazetarit Denis Dyrnjaja kishte në fokus të tij udhëtimin virtual në kohë brenda botës shpirtërore të shkrimtarëve të letërsisë shqipe.

I realizuar edhe me mbështetjen e “Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit”, projekti në vetvete ishte edhe një retrospektivë, kujtesë e emocioneve dhe refleksioneve të brezave të ndryshme.

“VARGJET E PËRTEJME” trajtoi edhe përqasjen e brezave në botën e mrekullueshme letrare dhe jo vetëm kaq. Për të bërë edhe një paralelizëm apo një krahasim mes brezave dhe evolucionit të të shkruarit në kohë dhe në periudha të ndryshme dhe për të diskutuar më shumë edhe rreth letërsisë shqiptare në kohë si domen i burrave.

Të ftuar ishin edhe shkrimtarët e njohur, Besnik Mustafaj, Vera Bekteshi dhe shkrimtarët e rinj Iva Musaraj, Alban Tufa, Suad Arilla. Duhet përmendur gjithashtu se për shkak të përqasjeve të brezave në këtë krijimtari të pafundme dhe mjaft të bukur, shkrimtarët Mustafaj dhe Bekteshi kanë folur edhe për pjesën e ndryshimit të sistemit pasi ata kanë qenë pjesë e tij.

Gjithashtu pjesëmarrës ishte edhe Klubi Letrar i shkollës “Sami Frashëri” ku përveç temave të përmendura më sipër fokusi ishte edhe lidhja e të rinjve dhe raportit që ata kanë me librin. Në thelb të të gjithë këtij projekti mjaft të veçantë mund të themi se qëndronte krijimtaria shqiptare dhe gjithçka që ka të bëjë me të.

Mund të shkruash shumë e të mos kesh thënë asgjë, e mund të shkruash njëherë për t’u bërë i përjetshëm.