Bota

Një teori konspirative pas sulmeve me sfond racist në Amerikë?!

Një teori raciste po hetohet si faktor motivues i sulmit në Buffalo të Nju Jorkut, ku mbetën të vrarë dhjetë persona, shumica afro-amerikanë. I akuzuari për të shtënat me armë zjarri të 14 majit është një 18-vjeçar. Në mediat sociale, vazhdimisht ka postuar ide nga “teoria e zëvendësimit të madh”, që pretendon se ka një komplot për të zvogëluar ndikimin e njerëzve të bardhë.

Ata që e mbështesin thonë se “ky synim po arrihet nëpërmjet zhvendosjes së njerëzve me ngjyrë në shoqëritë që kryesisht kanë qenë të dominuara nga të bardhët”. Gjithashtu, në zona ku shënohet rënia e numrit të lindjeve nga të bardhët.

Adhuruesit më racistë të kësaj teorie besojnë se pas të ashtuquajturit plan zëvendësues, qëndrojnë hebrenjtë. Nacionalistët e bardhë, që më 2017-ën marshuan në një tubim në Charlottesville të Virxhinias, i cili më pas u shndërrua në vdekjeprurës hodhën thirrjet: “Nuk do të na zëvendësoni!” dhe “Hebrenjtë nuk do të na zëvendësojnë!”.

Por, një pikëpamje më e zakonshme në Shtetet e Bashkuara, pa asnjë bazë sugjeron se demokratët janë duke nxitur emigrimin nga Amerika Latine, që “më shumë votues potencialë me të njëjtat pikëpamje, të zëvendësojnë amerikanët tradicionalë”. I këtij mendimi është Mark Pitcavage, studiues i kualifikuar në Qendrën e Anti-Shpifjes për Ekstremizmin.

Në SHBA, përpjekjet për t’i frikësuar dhe dekurajuar afro-amerikanët që të votojnë ose “për t’i zëvendësuar” votuesit e bardhë në qendrat e votimit, datojnë nga Epoka e Rindërtimit, kur Amendamenti i 15-të i Kushtetutës amerikane e bëri të qartë se e drejta e votës nuk mund të kufizohet për nga raca.

Në epokën moderne, shumica e ekspertëve përmendin dy libra me ndikim.

“The Turner Diaries”, një roman i vitit 1978, i shkruar nga William Luther Pierce, me pseudonimin Andrew Macdonald, flet për një revolucion të dhunshëm në Shtetet e Bashkuara, përkatësisht për një luftë racore, që çon në shfarosjen e jo të bardhëve. FBI-ja e cilëson “bibël të së djathtës raciste”.

Në vitin 2011, shkrimtari francez, Renaud Camus, botoi një libër me pretendimet se “Europa po pushtohet nga emigrantë me ngjyrë nga Afrika”. Libri mban titullin: “Le Grand Remplacement” apo Zëvendësimi i Madh, nga ku lindi emri i teorisë.

Për disa nga adhuruesit më ekstremë, shenjtorë konsiderohen vrasësit që besojnë në supremacinë e bardhë – të tillë si agresori i kampit veror në Norvegji, në vitin 2011 apo autori i sulmeve ndaj dy xhamive në Zelandën e Re, më 2019-ën.

Ekspertët janë të shqetësuar për disa pikëpamje ekstreme, për të cilat thonë se “po bëhen të zakonshme”.

Një sondazh i fundit i Associated Press dhe Qendrës NORC për Hulumtimin e Çështjeve Publike, zbuloi se një në tre amerikanë beson se po bëhen përpjekje për t’i zëvendësuar amerikanët e lindur në SHBA me emigrantë, për qëllime elektorale. Shumë ndjekës të versioneve më ekstreme të “teorisë së zëvendësimit të madh” bisedojnë përmes aplikacioneve të koduara në internet. Ata kanë prirje të jenë më të kujdesshëm, pasi e dinë se vëzhgohen.

Moderatori i njohur amerikan, Tucker Carlson, i cili punon për Fox News, ka nxitur disa pikëpamje të rreme, që përqafohen më lehtë nga disa njerëz të bardhë, të shqetësuar për humbjen e fuqisë së tyre politike dhe sociale. Carlson akuzohet “në fakt, prezanton “teorinë e madhe të zëvendësimit” për një audiencë konservatore, përmes një pilule që është më e lehtë të gëlltitet”.