Health & Beauty

Një test i thjeshtë gjaku mund të zbulojë kancerin e gjirit!

Një test i thjeshtë gjaku mund të zbulojë kancerin e gjirit deri në dy vjet përpara diagnozës, sipas shkencëtarëve. Ekspertët kanë identifikuar një lloj testi gjaku që fokusohet në një grup prej gjashtë proteinash që mund të jenë në nivele më të larta ose më të ulëta, deri në dy vjet përpara diagnozës së kancerit të gjirit.

Studiuesit thanë se gjetjet e tyre, të prezantuara në Konferencën e 13-të Evropiane të Kancerit të Gjirit, mund të formojnë bazën e testimit të gjakut për njerëzit me një predispozitë gjenetike ose një histori familjare të kancerit të gjirit, për të siguruar diagnozën dhe trajtimin e hershëm. Si pjesë e studimit, i cili ka nisur prej 10 vitesh, gratë kanë ndjekur kontrolle të rregullta të gjirit dhe kanë dhënë mostra gjaku.

Studiuesit përdorën një teknikë, të njohur si spektometria e masës, për të analizuar proteinat në mostrat e gjakut. Një analizë e 30 mostrave të gjakut të marra me kalimin e kohës nga tre gra që janë diagnostikuar me kancer gjiri dhe tre gra që nuk janë diagnostikuar me kancer gjiri tregoi ndryshime në nivelet e një grupi prej gjashtë proteinash. Testet e gjakut janë relativisht të thjeshta dhe veçanërisht jo të dhimbshme për shumicën e njerëzve, kështu që mund të bëhet ekzaminimi aq shpesh sa të jetë e nevojshme.

Rikujtojmë, se gjaku i prodhuar në laborator është transfuzuar te dy vullnetarë në provat e para klinike, për herë të parë në botë, sipas “Sky News”. Nëse ato rezultojnë të sigurta dhe efektive, qelizat e prodhuara të gjakut mund të revolucionarizojnë trajtimet për personat me çrregullime të gjakut, të tilla si qeliza drapër dhe grupe të rralla gjaku.

Për shumë persona që vuajnë nga këto çrregullime, mund të jetë e vështirë të gjendet gjak i dhuruar që përputhet, dhe qelizat e kuqe të gjakut të rritura në laborator do të nënkuptonin se individët që kërkojnë transfuzione të rregullta mund të kenë nevojë për më pak në të ardhmen.