Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Kanë të Francës ka filluar që prej datës 17 maj dhe pritet që të përfundojë me datë 28 të po këtij muaji. Të shumtë janë yjet nga bota e kinematografisë dhe jo vetëm që parakalojnë në tapetin e kuq dhe që janë bërë pjesë e këtij festivali i cili tani është kthyer në një traditë dhe zhvillohet çdo vit.
Një tjetër ngjarje ka tërhequr vëmendjen së fundmi. Protestuesit kanë sulmuar tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Kanë, në incidentin e dytë të kësaj jave. Një grup grash shpalosën një pankartë në premierën e thrillerit “Holy Spider”, duke lëshuar pajisje tymi të zi dhe duke mbajtur grushtat në ajër.
Pankarta paraqiste një listë të viktimave të 129 grave që nga Festivali i fundit i Kanës, në një referencë të dukshme për numrin e vrasjeve në familje në Francë. Pamjet e ngjarjes u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.
Feminist protest at Holy Spider premier #Cannes pic.twitter.com/VCEz0aI3BW
— Gregory Ellwood – The Playlist 🎬 (@TheGregoryE) May 22, 2022
Me regji të Ali Abbasi, “Holy Spider” tregon historinë e një gazetareje që heton një vrasës serial që synon punonjëset e seksit në qytetin iranian të Mashhad. Filmi bazohet në rastin e vërtetë të Saeed Hanaei, një punëtor ndërtimi, i cili vrau 16 gra midis vitit 2000 dhe 2001 përpara se të kapej nga policia.
Kjo është protesta e dytë që zhvillohet në Kanë këtë javë. Të premten, premiera e “Three Thousand Years Of Longing” të George Miller u ndërpre nga një grua që protestonte kundër dhunës seksuale gjatë luftës në Ukrainë. Gruaja grisi rrobat e saj në tapetin e kuq të filmit për të zbuluar mesazhin “Stop përdhunimit” të shkruar në gjoksin e saj me ngjyrat blu dhe të verdhë të flamurit të Ukrainës.
Festivali u anullua në 2020-tën për shkak të masave të rrepta kundër pandemisë së COVID-19, por tapeti i kuq shkëlqeu sërish këtë vit. Rikujtojmë, se në nder të 75 vjetorit të Festivalit të Kanës organizatorët e eventit më të madh të filmit në botë kanë zgjedhur Chopard për të realizuar trofeun e jubileut të Festivalit. Chopard ka 25 vjet që ‘ushqen’ një marrëdhënie pasionante me këtë event ndaj edhe Palma e këtij edicioni realizuar nga brandi prestigjoz i bizhuterive do të jetë e jashtëzakonshme.