Aktualitet Politikë

Një urim për ditëlindje apo më shumë kjo e Taulant Ballës për Fatos Nanon?

Në ditën e miratimit të qeverisë së tretë të Edi Ramës, në PS duket se ujërat janë të trazuara. Taulant Balla, dikur një prej njerëzve më të rëndësishëm të partisë, në qeverinë e re jo vetëm që u mënjanua nga kryeministri, por dhe u largua nga drejtimi i Elbasanit, sot shpalli një përkatësi që mbahej e fshehur prej 8 vitesh qeverisje në PS.

Ditën e sotme, Balla ka përfituar nga ditëlindja e Fatos Nanos, ku përveç një urimi të zakonshëm ka publikuar një fotografi me liderin historik socialist, njëkohësisht ish- kryeministrin, duke dërguar një mesazh të qartë përkatësie. Çka do të thotë se ai si lider njeh pikërisht vetëm “mësuesin” e tij, për llogari të të cilit ka qenë edhe negociator e ndërmjetës me Partinë e Edi Ramës.

Postimi i Ballës, është një sinjal dhe një sfidë politike ndaj Edi Ramës, në ditën më të rëndësishme ceremoniale të tij, siç është miratimi i qeverisë së tretë në Parlament. Taulant Balla, nuk është një deputet i thjeshtë i PS-së, por kryetari i grupit parlamentar të mazhorancës, e pikërisht në ditën më të rëndësishme të Edi Ramës, ai ka bërë të ditur lobin të cilit i përket.

Urimi nuk u duk thjesht si një qokë e një ish-nxënësi për mësuesin e tij, pasi ka sjellë shumë reagime në rrjetin e tij, që është një rrjet militantësh,  ku janë thuajse të gjithë përkrahësit e Ballës nga Elbasani. Por nga ana tjetër ka pasur edhe mbështetës të Edi Ramës që i kujtojnë Ballës se në kohë të Nanos ai nuk ishte asgjë, por një servil i tij.

Gjithçka ka ardhur pas një situate, kur pasuesit e Nanos që nga Balla janë refuzuar totalisht nga qeverisja. Balla nuk u bë ministër, ndërkohë që hipotekat janë bastisur nga të gjithë njerëzit që Balla kishte emëruar.

Madje po flitet që ish-kreu i qarkut të Elbasanit të hetohet edhe nga SPAK. E këtë Balla e ka vënë re, ndaj po ‘godet’ përkatësinë e tij politike, që duket si një paralele me rastin “Berisha” në PD. Pra paralajmëron një betejë të njëjtë në PS, si ajo e Berishës me Bashën. A i vlen Edi Ramës në këtë moment?

Burimi: Pamfleti.net