Aktualitet

Një viktimë dhe 4 të plagosur në dy aksidente në Kurbin e Durrës!

Aksidentet vazhdojnë të përgjakin rrugët e vendit. Sot në mëngjes raportohet për një viktimë dhe një të plagosur në Kurbin. Rreth orës 06:00, një makinë doli jashtë rruge në aksin e vjetër Laç-Mamurras.

Humbja e kontrollit rezultoi fatale për drejtuesin e automjetit tip “Volkswagen”, i cili fatkeqësisht nuk mundi të mbijetojë. Pasagjeri që udhëtonte me të u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar e ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Zyrtarisht bëhet e ditur se “grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, më i fundit me pasoja tragjike në rrugët tona.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 05:50 të 26 marsit, në aksin e vjetër rrugor Laç-Mamurras, ka dalë nga rruga mjeti tip “Volkswagen” me targë AA642IK.

Si pasojë, shtetasi A. M. ka ndërruar jetë ndërsa shtetasi E. D. ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës Tiranë nën kujdesin mjekësor.

Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore në vendin e ngjarjes për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Po sot, një tjetër aksident ndodhi pranë zonës së Plepave në Durrës. Tre persona mbetën të plagosur nga përplasja e dy makinave. Nuk ka informacione për gjendjen shëndetësore të të lënduarve.