Aktualitet

Një viktimë nga moti i keq në vend!

Një 26-vjeçar ndërroi jetë në Kuçovë nga një stuhi e fortë ere. Majkëll Vrapi po punonte për montimin e një paneli diellor në shtëpinë e një të afërmi kur ra nga soleta si pasojë e erës së fortë. Rrëzimi nga 3 metra lartësi rezultoi fatal për të riun nga fshati Tapi i Kuçovës, i cili pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve në Spitalin e Traumës ku u transportua me urgjencë, fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.

Edhe sot në ditën e parë të muajit prill, në vendin tonë do të vazhdojë të dominojë mot i paqëndrueshëm që sipas shërbimit MeteoAlb sjellin shira e stuhi të forta ere në të gjithë territorin shqiptar e sidomos në veri e veriperëndim. Temperaturat luhaten në vlerat nga 5 në 17 gradë celcius.

Në një vendim të dy ditëve më parë, Drejtoria e Përgjithshme Detare, DPD dha urdhër për pezullimin e mjeteve të vogla e të peshkimit, deri në përmirësimin e kushteve të motit, ndërsa edhe nesër, parashikimet nuk janë optimiste, sërish priten shira e stuhi të forta ere në pjesën më të madhe të ditës e vetëm gjatë natës do të ketë dobësim të intensitetit të reshjeve në të gjithë vendin.

Si pasojë e motit të keq, në rajonin e Lezhës ka patur probleme me furnizimin me energji elektrike në disa zona. OSHEE bën të ditur se ka ngritur grupe pune dhe është në gjendje gatishmërie për riparimin e defekteve të mundshme.

Po si rezultat i shirave të dendur, në Kukës raportohet për shtatë fshatra që kanë mbetur të izoluar për shkak të shembjes së urës së Shtrezës. Eshtë fjala për Shishtavecin, Novosejën, Borjen, Cernalevën, Oreshkën, Kollovozin, Shtrezën.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi për vendosje të sinjalistikës dhe marrjen e masave të para që qytetarët të mos rrezikojnë jetën duke kaluar në urë. ARRSH apelon të tregohet kujdes!

Gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet duke sjellë rënie gurësh dhe materialesh në trup të rrugës. Në aksin Ura e Zapodit-Shishtavec si pasojë e reshjeve të shiut me erë të fortë është dëmtuar një urë, po vendoset sinjalistikë dhe po merren masat e para. Kontraktorët e mirëmbajtjes janë në terren për pastrimin e akseve. Përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë.