Aktualitet Lajmet e fundit Politikë

“Një vit më parë i mundësoi Shqipërisë nisjen e vaksinimit përpara të tjerëve në rajon”/ Rama takon drejtorin ekzekutiv të kompanisë Pfizer.

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një vizitë në zyrat qendrore të kompanisë Pfizer në Nju Jork.
Rama bën me dije se ka takuar drejtorin ekzekutiv Dr.Albert Bourla, teksa ka publikuar një foto krah tij.

Në postimin e tij kryeministri shqiptar thekson se një vit më parë ai i hapi dyert Shqipërisë, duke i mundësuar nisjen e vaksinimit kundër koronavirusit përpara të tjerëve në rajon.

Në zyrat qendrore të kompanisë Pfizer në Nju Jork, me drejtorin ekzekutiv Dr.Albert Bourla, i cili na hapi dyert një vit më parë duke na mundësuar nisjen e vaksinimit përpara të tjerëve në rajon dhe duke na e lehtësuar ndjeshëm luftën me Armikun e Padukshëm, shkruan Rama.

 

Kujtojmë se më datë 9 Dhjetor të vitit 2020, Kryeministri Rama u takua pë herë të parë me drejtorin e Përgjithshëm të Kompanisë Pfizer.

Takimi pozitiv me bosin e Pfeizer, Albert Burla, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju-Jork, përmbylli komunikimet tona të kësaj vizite kërkimore për të siguruar vaksinën për Shqipërinë – një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet e një kërkese globale marramendëse, shkruante Kryeministri bashkëngjitur fotos.

Më tej, Rama theksonte se ambicia e qeverisë shqiptare është që brenda shkurtit të nisë vaksinimi.

Prodhimi është ende shumë më i ulët se sa kërkesa botërore! Por, ambicia jonë është të mos mbetemi mbrapa në radhën e stërgjatë të shteteve që kërkojnë vaksinën! Përveç kanalit të sapohapur për vaksinën Pfeizer do hapim në vijim edhe kanalet për vaksinat Moderna dhe Astrazeneca. Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin! Duket e pamundur po ne do t’ia dalim, pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat!