Aktualitet

Një vit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit! Shqipëria ende e “plagosur”

Si sot një vit më parë, Shqipëria u trondit nga tërmeti më i fuqishëm ndër dekada. Ishte ora 03:56, kur një lëkundje e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda, goditi Durrësin dhe Tiranën, duke iu marrë jetën 51 personave dhe plagosur plot 913 të tjerë. Pasojat e këtij tërmeti tronditës ishin akoma më tragjike, pasi u prekën plot 202 mijë njerëz, teksa u shkatërruan qindra banesa.

Pallate, shtëpi, shkolla të shembura. Njerëz që kërkonin ndihmë, ambulanca, makina policie e ushtrie shqiptare e të vendeve fqinje ishte tabloja e asaj tragjedie. Orët e para ishin kaotike, pasi shumë njerëz nën rrënoja luftonin mes jetës dhe vdekjes, ndërkohë të tjerëve iu duhej të përballeshin edhe me panikun që shkaktonin post-lëkundjet.

Solidariteti i vëllezërve, fqinjve dhe miqve nuk mungoi. Kosova, Italia, Greqia, Turqia, Franca e shumë vende të tjera sollën në Shqipëri ekipe të kërkim-shpëtimit që për ditë me radhë kërkuan nën rrënoja për trupat e viktimave. Pas një viti, plagët ende nuk janë shuar. Durrësi dhe Tirana ishin dy prej bashkive më të mëdha që patën pasoja të rënda, por jo më pak edhe në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës.

Thumana, epiqendra e tërmetit ofroi pamje rrënqethëse një vit më parë, ndërsa dy pallate 5 katëshe, të ndërtuara para viteve ’90 u shembën duke zënë nën rrënoja 24 gra, fëmijë e burra. Shumë të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa dhe banesa të tjera u dëmtuan. Prokuroria e Krujës shpjegoi se ka administruar dokumentacioni për ngjarjen tragjike dhe është në pritje të aktit të ekspertimit teknik ndërtimor, vonesa të shkaktuara nga situata e pandemisë.

Sot një vit më pas, pasojat janë ende të freskëta! Për ata persona që humbën të dashurit, dhimbja nuk do të shërohet kurrë!