Bota

Njerëzit me imunitet të dobët, drejt dozës së tretë të vaksinës anti-COVID në Amerikë!

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve pritet të autorizojë një dozë të tretë të vaksinave Pfizer e Moderna kundër COVID-it, për personat me sistem të dobët imuniteti. Një grup këshillues i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve takohet nesër për të diskutuar dhënien e injeksioneve përforcuese te ata që kanë bërë transplant organesh apo trajtohen për tumore.

Një studim i fundit nga Universiteti “Johns Hopkins” zbuloi se shumë pacientë që kanë bërë transplant organesh kishin pak ose aspak mbrojtje antitrupash pasi morën dy doza. Vlerësohet se nga 3 në 9 milionë amerikanë kanë sistem të dobësuar imuniteti, për shkak të sëmundjeve apo ilaçeve që marrin.

Po në Amerikë, po rekomandohet që të gjitha gratë shtatzëna të marrin një vaksinë kundër COVID-19. Këshilla jepet pasi dolën të dhëna që treguan se gratë nuk përballeshin me rrezik të shtuar të abortit kur marrin të paktën një dozë.

Nuk ka qenë kurrë më urgjente që të shtohen vaksinimet pasi po përballemi me variantin Delta shumë të transmetueshëm dhe po shohim pasoja të rënda nga COVID-19 tek gratë shtatzëna të pavaksinuara.

Ndërkaq, Kalifornia do të bëhet shteti i parë amerikan që iu kërkon të gjithë mësuesve dhe personelit shkollor, të vaksinohen ose t’i nënshtrohen testimit të përjavshëm për COVID-19.  Guvernatori Gavin Newsom tha se urdhri i ri vlen si për shkollat publike ashtu edhe ato private, në të gjithë shtetin më të populluar amerikan. Gjithashtu, përfshin ndihmësit e mësuesve, shoferët e autobusëve, punonjësit e kafeneve e vullnetarët. Urdhri i Newsome-it u mbështet nga kreu i Shoqatës së Mësuesve të Kalifornisë, E. Toby Boyd.

Sindikatat e mësuesve, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal, e kanë zbutur gjithnjë e më shumë kundërshtimin e tyre ndaj vaksinimit të detyruar, mes rritjes aktuale të rasteve të reja të COVID-19 për shkak të Deltës.

Në Kanada, qeveria po përgatit një pasaportë digjitale të vaksinës kundër COVID-19, të cilën qytetarët ta përdorin për udhëtime ndërkombëtare.