Bota

Njerëzit në izolim nga pandemia, minjtë “pushtojnë” Londrën

Izolimi i gjatë nga pandemia e ka shndërruar Londrën në një qytet të pushtuar nga minjtë. Çdo ditë, inspektorët veterinarë patrullojnë në brigjet e lumit Tamiz, për të kontrolluar situatën, duke kontrolluar madje edhe vend-depozitimet e mbetjeve.

Sipas kontrollorëve raportohet një rritje me 51% e aktivitetit të brejtësve gjatë izolimit të parë në pranverën e 2020-s, dhe një rritje prej 78% në nëntor, pas hyrjes në fuqi të një tjetër plani masash të ashpra.

“Sa më shumë zgjat izolimi, aq më shumë shtohen ata. Madje për më tepër, minjtë janë gjithnjë në lëvizje. Duke qenë se restorantet dhe zyrat në qendër të Londrës, mbeten të zbrazura, minjtë detyrohen të migrojnë në numra më të mëdhenj drejt zonave të banuara, në kërkim të ushqimit. Familjet kalojnë më shumë kohë në shtëpi, ushqehen atje, dhe kjo ka bërë që minjtë të joshen drejt tyre”-shprehen kontrollorët.